Transmetuar më 04-02-2019, 11:55
Foto ilustruese

Një histori e pabesueshme, në kufijtë e perversitetit, me protagonistë disa nxënës të një shkolle në Kavajë, ka ngritur sinjalet e alarmit për mijëra prindër e shkolla të tjera në vend.

I tillë është rasti i përdhunimit të një nxënëseje 13-vjeçare në Kavajë disa ditë më parë por rasti u bë publik vetëm pas një denoncimi në “Facebook” nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Nga pjesë të dëshmisë së djemve që akuzohen për përdhunimin e 13-vjeçares, evidentohet fakti se shumica ishin nxënës të 9-vjeçares, por dhe dy gjimnazistë.

Burime nga grupi hetimor bënë me dije se të gjithë djemtë e arrestuar e kanë pranuar që kanë kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur.

Ata kanë thënë se e merrnin vajzën në shtëpinë e tyre pas përfundimit të shkollës. Pasi përfundonte njëri, vajza të nesërmen shkonte në shtëpinë e një djali tjetër e kështu me radhë që nga nëntori deri në fund të janarit.

E gjitha kjo ndodhte pasi djemtë i bënin presion vajzës me videon që posedonin.

Kjo gjë ndodhte kur në banesat e tyre nuk kishte njeri dhe kur prindërit e tyre ishin në punë.

Policia dhe prokuroria kanë marrë në pyetje mësuesen kujdestare, si dhe drejtoreshën e shkollës por kanë deklaruar se nuk dinin gjë.