Transmetuar më 28-01-2019, 21:38

Basketbollisti i skuadrës turke, Fenerbahce dhe i Përfaqësueses së Serbisë, Nikola Kalinic, në një intervistë të gjatë për mediat serbe, ka pranuar se Kosova nuk i takon më Serbisë.

Ai shprehet se që kur ka lindur në vitin 1991, ka dëgjuar vetëm probleme dhe shqetësime rreth Kosovës.

Gjatë intervistës ai u shpreh se shumë do ta urrejnë, për deklaratën e dhënë, por sipas tij dikush duhet ta thotë publikisht.

“Hajdeni ta zgjidhim këtë problem, të shohim mundemi të ecim para’, ka thënë Kalinic.

“Lufta e Kosovës ka ndodhur para më shumë se 600 vjetësh, ndërsa ka shumë dekada që nuk është territor ‘ynë’, le të më korrigjojnë më të vjetrit dhe më të mençurit, nëse gaboj. Askush nuk jeton nga e kaluara dhe sa më parë të pajtohemi dhe të vazhdojmë tutje, do të jemi më mirë.

Duhet të pajtohemi me faktin se tani jemi pikë e vogël dhe e parëndësishme në hartën e madhe të botës. Kush nuk më beson le të udhëtojë pak nëpër botë dhe t’ju thotë të huajve prej nga është dhe do të përjetojë ‘shok’, jam i sigurt. Unë e kam përjetuar", shprehet Kalinic.

Ai vijon më tej duke thënë:

"Kohë më parë është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Gjermanisë dhe Francës, e para ishte në vitin 1963, pra pas 16 vjetësh nga Lufta e Dytë Botërore. Hej, pas 16 vitesh nga krimet dhe viktimat, e kanë kuptuar se duhet të punojnë bashkë, dhe shihni se ku janë tani"./a.k/noa.al/