Transmetuar më 25-01-2019, 17:46

Zhdukja e futbollistit Emiliano Sala ka ngjallur shumë mistere, ndërkohë sipas prestigjiozes “DailyMail”, avioni është rrëzuar në Kanalin e La Manshit për shkak se një pajisje kishte ngrirë dhe nuk po funksiononte siç duhet.

Ky problem sipas “DailyMail” ka çorientuar pilotin Ibotson, teksa avioni e humbi kontaktin me qendrën Casquets për kontrollin e trafikut ajror, rreth 13 kilometra larg ishullit Guernsey të Britanisë së Madhe.

Piloti kishte kërkuar të ulej nga 1524 metra lartësi mbidetare në 762 metra, vetëm disa sekonda para se të zhdukej aeroplani dhe besohet se zhdukja ndodhi pasi aeroplani u përplas në Kanalin Anglez për shkak të keqfunksionimit të një pajisjeje në aeroplan.

Besohet se pasi u rrëzua, aeroplani mbeti në zonën më të rrezikshme të kanalit, të njohur si “Hurd’s Deep”.

Më herët mediat argjentinase raportuan mesazhin e fundit audio që futbollisti Emiliano Sala iu dërgoi shokëve të tij, para se avioni me të cilin udhëtonte të zhdukej nga radarët.

Avioni me të cilin udhëtonte futbollisti argjentinas i ‘Premier League’ u zhduk nga radari mbrëmjen e kësaj të hëne, teksa ishte nisur nga Franca drejt Cardiffit.

28-vjeçari po udhëtonte nga Nantes drejt Cardiffit, për t’iu bashkuar skuadrës angleze, me të cilën kishte nënshkruar pak ditë më parë.