Transmetuar më 24-01-2019, 17:36

Ajo që pritej prej më shumë se një viti ka marrë formë zyrtare. Kishte shumë pak dyshime, por tani edhe ato janë shuar me dopingun që kthen në plagën më të madhe të peshëngritjes shqiptare.

Federata Botërore e Peshëngritjes ka dënuar me 8 vjet përjashtim Romela Begaj, pasi peshëngritja nuk arriti të mbrohet përpara gjykatësve, pasi rezultoi pozitive në testet anti-doping gjatë Botërorit të vitit 2017.

Lajmi tronditës vjen nga apeli i FBP, pas dëgjimit të seancës dëgjimore. Zyrtarët e lartë kanë shqyrtuar dokumentacionin e ofruar nga juristet e sportistes së njohur, por nuk kanë marrë parasysh faktet e ofruara.

Dhe përfundimisht kanë lënë Begajn në një periudhë të gjatë pezullimi, gjë që natyrisht është shumë e rëndë për kampionen shqipare. Romela Begaj u shpall kampione bote në kampionatin botëror të zhvilluar në Amerikë në vitin 2017.

Por më pas rezultoi pozitiv në kontrollet anti-doping gjë që u mohua me forcë nga sportistja, duke theksuar se ky ishte vetëm një skenar. Por apeli i FBP me seli në Hungari, nuk i dha mundësinë Romelës të heq këtë dënim, madje aq më keq, apeli la palën shqiptare që të paguajë shpenzimet e seancës dëgjimore.

Tani, Romela Begaj ka vetëm një shans, ta apelojë në CAS këtë vendim. Atje do të jetë shpresa e fundit.

Kjo nuk është hera e parë që Begaj del pozitive me doping. Në dhjetor të vitit 2014 Begaj ka rezultuar pozitive në testin anti-doping edhe pas botërorit në Kazakistan. Për këtë shkak ajo u pezullua nga kompeticionet për 2 vite.