Transmetuar më 21-01-2019, 14:15
Klodian Gradeci

Dorëhiqet nga detyra, administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Klodian Gradeci.

Vendimi i tij vjen, pas skandalit të Unazës së Re, ku kompania “DH Albania”, e cilësuar si kompania fantazmë që fitoi një tender prej 12 milionë euro, për një linjë energjetike.

Por pas zbulimit të dokumenteve false, tenderi në fjalë u anulua.

Në letrën e tij, Gradeci thotë se dorëheqja vjen për motive personale.

Kujtojmë se kompania ‘DH Albania’ e kishte fituar tenderin e Unazës së Re. Por nga hetimet e kryera u anulua edhe tenderi i dytë nga OST.

Nga ana e policisë është shpallur në kërkim, administratori i kompanisë “DH Albania”, Avdjol Dobi, i cili akuzohet se ka falsifikuar dhe ka përdorur më pas një vërtetim të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit të Delaware, ku tregohej se kompania “Dunëell Haberman”, e cila pretendohet se është mëma e firmës shqiptare “DH-Albania”, nuk kishte detyrime financiare në SHBA.

Letra drejtua kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të OSHT SHA, Pajtim Bello

I nderuar Z.Kryetar,

Unë i nënshkruari Klodian Gradeci, që nga data 21.09.2017 mbaj detyrën e Administratorit të OST sh.a.

Nëpërmjet kësaj kërkese, po ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga ky funksion që unë mbaj pranë shoqërisë “OST” sha, për arsye personale, duke filluar nga dt.21.01.2019.

Gjatë kësaj periudhe që kam punuar pranë shoqërisë, kam pasur mundësinë që të kontribuoja sado pak në ngritjen e saj, duke punuar me një staf të përkushtuar dhe bashkëpunues, ku së bashku kemi arritur rezultate mjaft të mira për shoqërinë.

Duke ju falënderuar paraprakisht Juve dhe stafin e OST sha. /a.y/noa.al