Transmetuar më 15-01-2019, 17:04

Rreth 20 studentë të Universitetit Aleksandër Xhuvanit në Elbasan prej orës 16:00 janë ngujuar në ambientet kryesore të këtij fakulteti.

Fillimisht ata kanë hasur në kundërshtimin e rojeve të Universitetit por më pas kanë arritur të hyjnë. Me pankarta në duar studentët kanë thurur dhe vargje për të çuar më lart zërin e protestës së tyre.

Ja disa prej tyre

Nuk paguaj rektoratin, as për Besën as për të gjatin.

S’kemi hallin e provimeve, por sot halli është i çmimeve.

Për të gjithë ju që u ngritët, po ju them se kalojnë vitet

dhe në master nesër shkon,1 milionëshin se mendon?

Ngrije zërin se të rropën. e hi syve sot të hodhën.

Dil sërish e protesto, ec sërish e na u bashko…

Studentët kanë deklaruar se duan plotësimin e kërkesave dhe i kanë bërë thirrje qytetarëve për mbështetje. “I bëjmë thirrje kryeministrit të na plotësojë kërkesat”, thanë ata.

Ata i janë bashkuar në këtë mënyrë protestës që po bëjnë edhe studentet e fakulteteve në Tiranë, protestë e cila është kthyer në ngujim brenda këtyre ambiente, tashmë prej disa ditësh.

Studentët kanë bërë të ditur se pritet që këtij ngujimi t’i bashkohen edhe studentët të tjerë në orët në vijim.