Transmetuar më 15-01-2019, 14:46

Ministri i Jashtëm në largim Ditmir Bushati, i cili u shkarkua nga Kryeministri Edi Rama, reagon për herë të parë lidhur me vendimin e kreut të qeverisë.

Në një dalje të sotme për mediat, Bushati falënderoi Kryeministrin dhe Partinë Socialiste për besimin e dhënë,

“Falënderoj ekipin e shërbimit të jashtëm që nga mesit i shtatorit dhe në këto orë të fundit në krye të ministrisë së jashtme. Sa i përket dimensionit politik kryeministri e ka marrë vendimin e tij për të ndryshuar drejtimin e politikës të ministrisë. Është e drejtë dhe përgjegjësi e kryeministrit për të përzgjedhur ekipin e tij që ai do të përmbushë objektivat e programit në këtë fushë”, u shpreh Bushati.

Ai bëri apel që të ezaurohet një orë e më parë procedura kushtetuese që mundëson ndryshimin e drejtuesit të ministrisë, në mënyrë që të garantohet një përfaqësim më e denjë në arenën ndërkombëtar.

Ditën e hënë Kryeministri Edi Rama bëri me dije se do e marrë vetë drejtimin e ministrisë së Jashtme.

“Do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”, tha Kryeministri.

Vendimi i Ramës erdhi pasi Presidenti Ilir Meta, refuzoi propozimin e Gent Cakaj për ministër.

Duke refuzuar dekretimin e Cakaj, Meta tha se i propozuari nuk ka përvojë si dhe ka mbajtur qëndrime publike të papranueshme për çështjen e kufijve të Kosovës.

Po ashtu deklaroi se gjatë detyrës si zv.ministër i Jashtëm ka treguar mungesë të theksuar përgjegjshmërie. /a.y/noa.al