Transmetuar më 15-01-2019, 09:07

Dita e djeshme dhe nata që lamë pas ka qenë e dominuar nga moti i ftohtë dhe me reshje dëbore në një pjesë të mirë të zonave të vendit.

Lidhur me situatën e akseve kombëtare të vendit, Autoriteti Rrugor Shqiptar, jep informacion të detajuar.

Bëhet me dije se në rajonin verior gjatë natës ka pasur temperatura të ulëta.

Në të gjitha akset ku ka prezencë ngricash, është bërë shpërndarja e kripës nga ana e kontraktorëve.

Segmentet që janë të kalueshme me zinxhir, ose pjesërisht me zinxhir janë Domaj-Drajë Rec; Ura e Cerenecit- Stëblevë; Kuben- Vasije; Peshkopi- Qafë Drajë; Peshkopi-Ushtelencë; Qafë Bualli-Krastë dhe Trebisht-Doganë. Në akset e tjera qarkullimi është normal.

Në rajonin qendror, gjatë natës ka pasur temperatura të ulëta. Është punuar nga kontraktorët që në orët e para të mëngjesit për shpërndarjen e kripës në segmentet ku ka prezencë ngricash.

Qarkullimi në akset e këtij Rajoni është si më poshtë:

Aksi nga Trau i Dajtit-Teleferik-Vilat Qeveritare rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të prezencës së ngricave.

Qafë Priskë- Shëngjergj rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të prezencës së ngricave.

Qafë Priskë- Qafë Mollë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.

Qafë Mollë-Shëngjergj, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të ngricave.

Aksi Krujë Sarisalltik rekomandohet pjesërisht me zinxhir.

Lunik- Stëblevë rekomandohet me zinxhir në pjesën fundore të tij. Në akset e tjera qarkullimi është normal.

Në rajonin jugor, gjatë natës ka pasur reshje bore në lartësi, që shkojnë 5-15 cm. Temperaturat kanë qenë të ulëta, sidomos në Qarkun e Korçës. Që në orët e para të mëngjesit, është bërë shpërndarja e kripës nga ana e kontraktorit, për shkak të prezencës së ngricave në rrugë.

Qarkullimi në akset e këtij rajoni paraqitet si më poshtë:

Në Qarkun Korçë qarkullimi rekomandohet me zinxhir në Korçë- Boboshticë; Dardhë dhe Qafë Qarri – Ersekë.

Në Qarkun Gjirokastër qarkullimi normal pa probleme.

Në Qarkun Vlorë qarkullimi i mjeteve bëhet normalisht pa zinxhir. /a.y/noa.al