Transmetuar më 14-01-2019, 19:44

Ligji nr. 9441, datë 11.11.2005 për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e qumështit dhe të produkteve me bazë qumështi, nga vetë emri përcakton qartë kushtet në të cilat duhet të punojnë subjektet që merren me grumbullimin dhe përpunimin e qumështit në vendin tonë.

Emisioni “BOOM” në Rtv Ora News ka investiguar se si realizohet ky proces nga ana e disa baxhove.

Këtë të hënë "BOOM" prezantoi gjetjet nga investimi i një baxhoje që mbledh qumështin në disa fshatra pranë zonës së Lezhës.

Si fillim mbledhja e qumështit, duhet thënë se bëhet pa dalë në punë AKU-ja. Bëhet herët në mëngjes rreth orës, 7-7:30.

Fshatarët, me kova boje mbushur me qumësht, dalin në rrugët e fshatrave përreth dhe presin furgonin. Furgoni është furgon mallrash, jo frigoriferik.

Ata kanë bidona të mëdhenj plastik ku hedhin qumështin që marrin nga fshatarët. Ja blejnë lirë fshatarëve me 350 lekë, sepse dhe fshatarët e dinë mirë vetë që nuk i plotësojnë kushtet që përcakton ligji për një fermer, si kontrollet veterinare për kafshët, pajisjen e tyre me dokumenta, etj dhe për pasojë i gjithë ky është një aktivitet i paligjshëm që cënon cilësinë e mbi të gjitha sigurinë e një produkti ushqimor.

Gazetari: Shisni qumësht ju?

Fermeri: Po.

Gazetari: Me sa e jepni?

Fermeri: E kena të faturum, me 350 lekë.

Gazetari: Po është kështu, ja jepni baxhove?

Fermerja: Po.

Fermeri: Vjen i merr një shofer.

Gazetari: Qumësht është ai? Lope apo dele?

Fermerja: Doni me ble ju?

Gazetari: E, me sa e shet?

Fermerja: Unë e shes a e din, vjen një fugon na e merr përditë.

Gazetari: Ë e keni për këto baxhot ju?

Fermerja: Po, e kena për baxhot.

Gazetari: Po me sa e jep kilen?

Fermerja: Pash zotin krejt falur, s`kemi ça bëjmë, me 350.

Gazetari: Vjen ja u merr baxhua ditë për ditë ju?

Fermerja: Po, vjen e na e merr përditë, në 7:30.

Gazetari: Po si e ka emrin kjo baxhua që merr?

Fermerja: Është ai….është në Lezhë.

Gazetari: E bëni mëngjes për mëngjes ju këtë?

Fermerja: Po, të darkës dhe të mëngjesit.Të darkës e fus në frigorifer, i bashkoj të dyja bashkë edhe…

Gazetari: E ka ndonjë çik baxho të mirë ai kështu apo?

Fermerja: Për zotin nuk di gjë. E kanë hap kështu familjarisht, po jo me punësu njerëz të huaj. Më mirë ata vetë.

Gazetarja: E ka familjare?

Fermerja: Po, familjare.

Baxhoja ku çohet qumështi, "BOOM" ndjek makinën

Gazetarët e emisionit "BOOM" në Rtv Ora News ndoqën me kamera të fshehtë makinën, e cila pasi mblodhi qumështin shkoi dhe e çoi atë në një  baxho në zonën e ishullit në Lezhë.

Baxhoja ishte një magazinë në oborrin e shtëpisë së pronarit, i cila në fakt ishte kujdesur që të gjithë rrugicën deri sa të shkoje tek shtëpia dhe baxhoja që kishin një rrethim, ta blindonte me kamera.

Me siguri për të kontrolluar çdo lëvizje rreth saj.

Makina që "BOOM" filmoi nëpër fshatra duke mbledhur qumështin i përket këtij subjekti.

Nga të dhënat që "BOOM" zbuloi në ekstraktin historik të regjistrit tregëtar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ky subjekt rezulton i hapur në vitin 2015, fusha e veprimtarisë është baxho, përpunim dhe tregëtim me pakicë të qumështit dhe të gjitha llojeve të nënprodukteve të tij.

Pjesë e deklarimit në këtë ekstrakt është dhe mjeti që "BOOM" konstatoi se mblidhte lëndën e parë në kundërshtim me ligjin.

Flasin ekspertët: Ky aktivitet është tërësisht në shkelje të ligjit

Në lidhje me kushtet që parashikon ligji si për fermerin që shet produktin, si për subjektin, "BOOM" pyeti Kristaq Jorgon, ekspert ushqimi dhe teknolog, i cili na zbërthen se ky aktivitet është tërësisht në shkelje të ligjit.

Kristaj Jorgo: Një fermer që të ushtrojë një aktivitet duhet që të plotësoj disa kushte dhe këtë e përcakton më së miri ligji 9441. Fermeri para se të ushtroj një aktivitet duhet të plotësoj njëhërë kushtet se ku do të ushtroj aktivitetin e tij dhe pasi të plotësoj të gjitha kushtet se ku do të ushtroi veprimtarinë e tij, është i detyruar që të marri lejen e ushtrimit të aktivitetit. Për të marrë lejen e ushtrimit të aktivitetit janë 3 institucione.

Është Drejtoria Rajonale e Bujqësisë, është AKU-ja, është dhe Drejtoria e Kujdesit të Shëndetit Publik. Në rradhë të parë, për të ushtruar aktivitetin ai duhet të ketë një objekt që të plotësoj kushtet.Duhet të ketë vend të caktuar për lëndën e parë dhe trajtimin, se kjo është gjëja e parë. Se nëse do trajtohet mirë ushqimi, atëherë dhe produkti i qumështit do dali brenda standardeve shtetërore.

Objekti ku rriten bagëtia dhe objekti ku do të milet bagëtia, sepse nuk lejohet në mënyrë kategorike që atje ku rri bagëtia, të bëhet dhe mjelja e saj. Një rëndësi të veçantë duhet ti kushtosh edhe mjelësve. Mjelësi duhet patjetër të këtë librezën shëndetësore, raportin mjekësor.

Mjetet duhet të jenë të disifektuara dhe të jenë të gjitha inoksi. Fermat e mëdhaja kanë një teknologji shumë më të mirë, nga fshatarët.Qumështi që merret nga fshatarët që kanë një lop ose dy lopë është jashtë kontrolli. Ata përdorin enë nga më të ndryshmet.

O enë ku ka përdorur vaj, vajra për lyerje dhe burim infeksoni nga bakteriete janë vetëm enët që përdorin fshatarët.Nëse mjelja është bërë brenda dy orëve , patjetër duhet të bëhet transportimi në enë inoksi dhe frigoriferike, nuk lejohet që të qarkullojë qumështi mbi 10 gradë. Zakonisht duhet të jetë 6-8 gradë. Nuk lejohet që baxho të jetë në shtëpi.

AKU Lezhë thotë se do nisin inspektimet

Emisioni "BOOM" në Rtv Ora News ju drejtua drejtorisë së AKU qarku Lezhë, ku mori garancinë nga drejtori se do nisin inspektimet në lidhje me këtë problem dhe do të merren gjithashtu masat.

Gazetarja: Kemi konstatuar një problem që ndodh në qarkun që ju mbuloni, me ushqimin. Më konkretisht; Janë disa subjekte, të cilat herët në mëngjes nëpër fshatra të ndryshëm, qofshin këto të Fushë -Mamurrasit , Mamurrasit, Fushë -Kuqes , dalin që herët me makina dhe mbledhin lëndën e parë qumësht, që janë përgjithsisht për përdorim baxho, ose për përpunim.

Drejtori i AKU Lezhë: Ok, në rregull.

Gazetarja: Ajo që kemi konstatuar ne është që këto mjete nuk plotësojnë kushtet që parashikon ligji , siç janë mjeti frigoriferik, e të gjitha të tjerat. Më absurdja është se fshatarët që dalin e nxjerrin këtë qumësht me kova bojrash.

Drejtori i AKU Lezhë: Unë ju falenderoj njëherë në rradhë të parë që e këni bërë këtë investigim. Nëqoftëse do na vini në dispozicion fugonat, mjetet, të gjitha, unë nesër që në 6, marrë dhe krimin ekonomik, në bashkëpunim dhe me ata, i bllokojmë të gjithë fugonat dhe marrim masat e duhura, për kë baxho çojnë.

Gazetarja: Qëllimi ynë si emision nuk është që ne të godasim subjekte të caktuara se nuk na intereson ajo.Ky është një fenomen dhe ne e kemi ndjekur në dy – tre raste këtë, nuk është se e kemi ndjekur vetëm në një rast.

Drejtori i AKU Lezhë: Ok, pra në rregull, unë nuk e di domethënë se unë jam i ri.

Gazetarja: Tani ai djath më vjen mua në shtëpi.

Drejtori i AKU Lezhë: E di, edhe mua. Pa merak, nesër unë do nxjerrë trupën inspektuese që në 6, që do i evidentoj edhe vetë ato.

Gazetarja: Pra, nuk jepet as faturë, leku jepet kesh.

Drejtori i AKU Lezhë: Neve merremi gjithmonë me fabrikën që i mbledh, se fshatari i shkretë edhe ti po të kishe…

Gazetarja: Nga halli do i shesi, ashtu është.

Drejtori i AKU Lezhë: Je dakord me këtë? Kurse unë nëqoftëse do kap atë fugonin dhe ai e çon te x fabrikë, ne merremi me fabrikën, e mbyllim dhe fabrikën. Unë do njoftoj dhe krimin ekonomik, se më duhet dhe mbështetja e atyre, se mund të jetë dhe në shtëpi. Në shtëpi, nuk kemi ne tagrin t`i hyjmë.

Gazetarja: Në shtëpi janë.

Drejtori i AKU Lezhë: Në rast se është në shtëpi, nuk kemi të drejtë, sepse ai thotë unë e kam shtëpi o vëlla, s`prodhoj.