Transmetuar më 14-01-2019, 17:50

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla e ka një shpjegim për qëndrimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për çështjen e ministrit të Jashtëm që nuk u dekretua.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, i pyetur për arsyen e qëndrimeve të Kreut të Shtetit edhe duke u bazuar në eksperiencën e gjatë politike të tij, Balla tha se Meta kërkon të tërheqë vëmendjen e publikut në kohën kur priten institucionet e reja të drejtësisë dhe vijimi i punës prej tyre. Ai deklaroi se kjo gjë është parashikuar nga maxhoranca, se sa më afër të jetë puna për ngritjen e SPAK aq më e tensionuar do jetë marrëdhënia me institucionet e tjera.

“Kjo është një lloj përpjekje për të tërhequr vëmendjen e publikut nga ato që publiku pret nga institucionet e reja të drejtësisë dhe vijimit të punës. Me vijimin e punës së gjyqësorit, BKH-së. Ne i kemi parashikuar dhe kemi thënë se sa më afër do të vijë puna për ngritjen e Prokurorisë Speciale, SPAK aq më e tensionuar do të jetë marrëdhënia me institucionet e tjera”, deklaroi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS, tha se ministri i propozuar nga PS, duke iu referuar Genc Cakajt, do jetë zëvendës ministër dhe për pak kohë deri kur Gjykata Kushtetuese t’i japë fund këtij bllokimi. “Ilir Meta kujton se është ende në koalicion me ne dhe thotë prit se do shprehem dhe unë për këtë. E ka pasur deri në 2017, se ndoshta e ngatërron, e vazhdon për inerci”, u shpreh Balla.

Lidhur me Gjykatën Kushtetuese dhe se kur do të jetë ajo në funksion, Balla tha se institucionet e reja të drejtësisë tashmë janë në detyrë. “KED prej 1 janarit është në detyrë. Në ditët në vijim mezi presim që KED të shqyrtojë propozimet e ardhura nga Presidenti dhe nga Kuvendi për Gjykatën Kushtetuese”, tha Balla.