Transmetuar më 14-01-2019, 15:14

Gjykata e Tiranës ka përfunduar shqyrtimin e padisë për shpifje të kreut të grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kundër liderit demokrat Lulzim Basha. Në konkluzonet përfundimtare, avokatët e Ballës kërkuan deklarimin fajtor të kryetarit të Partisë Demokratike dhe dënimin e tij për shpifje.

Avokatët e Bashës pretenduan se në deklaratat e tij nuk ka elemente të veprës penale. Ata kërkuan përfundimisht pafajësinë e Bashës ose pushim të çështjes. Përfaqësuesi i prokurorisë në gjyq tha se nuk ka elementë të veprës penale dhe kërkoi përfundimisht pushimin e padisë.

Në fjalën e tij, deputeti i PS-së, Taulant Balla u shpreh se ai i qëndronte kërkesës së tij për dënimin e kryedemokratit Lulzim Basha.

“Më vjen keq për qëndrimin e prokurorit. Të paktën duhet të na kishte informuar për hetimet që ka bërë. Unë i qëndroj kërkesës për dënimin e Bashës”, tha Balla.

Pas fjalës së Ballës, trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendimin, për të cilin gjyqtari Gerdi Hoxha është shprehur se i duhet më tepër kohë për të marrë vendimin.

“Më duhet kohë të shyqrtoj praktikat e përmendura në gjyq. Vendimi do të jepet i arsyetuar më datë 21 janar në orën 12:30.” Pas seancës gjyqësore, deputeti Balla u shpreh se beteja kundër shpifjen vijon duke i bërë thirrje prokurorisë që të mos e mbajë dosjen me muaj siç ka ndodhur më parë.

“Nëse akuza të këtij niveli do të quheshin opinione, në këtë vend do t’i jepnim shfrenim çdo lloj akuze pa kuptim. Megjithatë është gjykata ajo që do ta rregullojë këtë. Beteja me shpifjen vijon. Ky gjyq ka qënë një shembull i qartë se shpifës si Lulzim Basha jo vetëm që nuk mori guximin që të mbronte akuzat vetë në gjykatë por u përpoq që të përdorte si argument për shpifjet padinë tonë.

Thirrja ime për prokurorinë është që të mbyllen hetimet sa më shpejt, edhe qytetarët mezi presin që prokuroria të mos e mbajë dosjen me muaj dhe vite pa i çuar fajtorët prapa hekurave”, u shpreh Balla./b.l/noa.al/