Transmetuar më 14-01-2019, 12:39

Presidenti Ilir Meta i përgjigjet Kryeministrit Edi Rama, pas ngërçit të krijuar lidhur me ministrinë e Jashtme, ku kreu i qeverisë vendosi ditën e sotme që ta marrë vetë drejtimin e saj.

“Presidenti në krye të punës. Për Presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit”, shkruan Meta.

Ai shton më tej “No more fake state (Jo më shtet të rremë). Shqipëria e para!”

Ky reagim i Presidentit, vjen pasi më herët Kryeministri njoftoi se do e merrte vetë drejtimin e ministrisë së Jashtme.

“Presidenti s’e ka çdekretuar ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues”, tha Rama.

Ai e quajti shkelje të radhës, duke paralajmëruar se do ta ballafaqojë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese.

“Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”, deklaroi Kryeministri.

Përplasja mes Ramës dhe Metës erdhi, pasi Presidenti refuzoi dekretimin e Gent Cakaj si ministër të Jashtëm.

Në arsyetimin e tij Meta tha se i propozuari nuk ka përvojë si dhe ka mbajtur qëndrime publike të papranueshme për çështjen e kufijve të Kosovës.

Po ashtu deklaroi se gjatë detyrës si zv.ministër i Jashtëm ka treguar mungesë të theksuar përgjegjshmërie. /a.y/noa.al

Rama: Do e marr vetë drejtimin e ministrisë së Jashtme, me Metën përballemi në gjykatë