Transmetuar më 14-01-2019, 12:15

Partia Demokratike thotë se Edi Rama është peng i pazareve me oligarkët e ndërtimit, prandaj nuk tërhiqet nga projekti kriminal i Unazës së Re.

Në një dalje për mediat nga selia blu, përfaqësuesja e departamentit antikorrupsion Lealba Pelinku, tha se sot, po ndodh teatri i radhës me projektin korruptiv 40 milionë euro.

“Është hapur gjoja tenderi për segmentin e Shqiponjës, ku Edi Rama u kap me presh në duar duke vjedhur me kompani fantazmë, por e vërteta është se sërish fituesi është i paracaktuar. Kompania “Gjoka Konstruksion” është paracaktuar të shpallet fituese e një tenderi të manipuluar përmes kritereve shumë specifike dhe të pakapshme nga shumica dërrmuese e kompanive të ndërtimit.” Askush nuk ka më dyshim se Edi Rama është ai që ka urdhëruar këtë projekt të zhvatjes së shqiptarëve, 20 milionë euro për 2.3 kilometra”, u shpreh Pelinku.

Ajo tha më tej se nuk shpjegohet ndryshe këmbëngulja e Kryeministrit për të çuar 18 milionë euro një herë tek kompania fantazmë, e regjistruar në parajsë fiskale, dhe tani tek kompania, e cila është ndër përfituesit e parë të mega-projektit hajdut “Shqipëria 1 miliardë euro”, nëpërmjet të cilit pastrohen paratë e korrupsionit.

Më tej thuhet, një nga faktet se tenderi është fasadë dhe fituesi i paracaktuar ka të bëjë me kriteret e qepura për klientin e Ramës në PPP-të në infrasktrukturë.

Në këtë linjë tha se ato jo vetëm nuk kanë ndryshuar, por një prej kritereve, i vetmi që ka ndryshuar nga tenderi i parë, është bërë që i preferuari i Edi Ramës të futet në tender, por sërish duke përjashtuar shumë kompani të tjera.

Në mbyllje të deklaratës Pelinku tha se PD e ka shprehur qartë qëndrimin e saj, “projekti korruptiv 20 milionë euro për kilometër duhet anuluar i gjithi. Prokuroria duhet të hetojë dhe të çojë para drejtësisë të gjithë ata që herën e parë tentuan të vjedhin me mashtrim dhe kësaj here po tentojnë të vjedhin sërish me tender të paracaktuar”. /a.y/noa.al