Transmetuar më 13-01-2019, 21:28

Njëri është i propozuar për shkarkim dhe tjetri i kandiduar për ministër, por asnjëri nuk është i aftë të zhvillojë takime të rëndësishme në Bashkimin Europian e për më tepër në një axhendë të paracaktuar.

Të martën më 15 janar, ministri i Jashtëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Heiko Mass, do të duhet të presë në Berlin, ministrin e Jashtëm shqiptar.

Por as Gent Cakaj dhe as Ditmir Bushati nuk do të jenë të pranishëm.

Cakaj, sepse përfundimisht Presidenti e refuzoi dhe nisi ndjekje penale për shkelje ligjore.

Kurse Ditmir Bushati, sepse nuk dëshirohet më nga Edi Rama që të jetë ministër i Jashtëm e për rrjedhojë ka vendosur që të mbetet jashtë axhendave diplomatike të MPJ që drejtoi për afro gjashtë vjet.

Burime nga ministria shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, bënë të ditur sot për noa.al, se Bushati edhe pse është në detyrë pasi Presidenti nuk e dekretoi shkarkimin e tij, ka vendosur të mos shkojë në Berlin ku e pret z.Mass për një takim bilateral të planifikuar prej kohësh.

Në këtë mënyrë, përplasja institucionale mes Presidentit dhe Kryeministrit, me në fokus kreun e diplomacisë shqiptare, ka prodhuar pasojat e para në politikën e jashtme të vendit, duke filluar nga marrëdhëniet me Gjermaninë, vendi me më shumë peshë në Europë.

Burimet nga MEPJ thanë për noa.al se ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e ka anuluar vizitën e tij në Gjermani, të programuar për javën e ardhshme., ku të martën do të duhej të takonte homologun e tij në Berlin, Heiko Mass.

Zhvillimet e fundit kanë detyruar Ditmir Bushatin të anulojë axhendën e jashtme, pjesë e së cilës ishin edhe dy takime në Bruksel, ai më 10 janar, gjithashtu i anuluar, me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, si dhe takimi me eurokomisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, edhe ky i anuluar.

Për rrjedhojë asnjë nga takimet nuk u realizua.

Megjithatë, nëse deri të mërkurën më 16 janar, nuk do të ketë ndryshime, Bushati do të duhet ta presë në Tiranë, ministrin e Jashtëm të Italisë, Enzo Moavero Milanesi.

E po ashtu do të duhet të presë të enjten më 17 janar, edhe ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Holandës, Stef Blok.

Për të ruajtur seriozitetin e shtetit, Ditmir Bushati nuk ka kërkuar anulimin e këtyre dy vizitave, për sa kohë ata janë ftuar nga autoritetet shqiptare.

E nga ana tjetër të dy ministrat e Jashtëm, ai italian dhe ai holandez, e kanë konfirmuar vullnetin për t’u takuar me ministrin Bushati, pavarësisht zhvillimeve të fundit.