Transmetuar më 13-01-2019, 14:32

Kryeministri Edi Rama thotë se duke nisur nga dita e nesërme, e hënë, pranë universiteteve do të ketë përfaqësues të ministrisë së Arsimit dhe Financave.

Gjithçka me synim që të jepen shpjegime për studentët që kanë paqartësi lidhur me tarifat e studentëve.

“Nga nesër në sekretariatet e universiteteve do të vendosen dy përfaqësues të ministrive të financave e të arsimit, për të asistuar studentët që duan shpjegime apo duan të adresojnë probleme specifike, lidhur me zbatimin e VKM mbi tarifat e bursat brenda janarit. Me studentët”, shkruan Rama.

Më tej thotë se kush është student duhet ta lexojë, teksa nënvizon se “whatsapi im nuk e bën dot sekretariatin e universiteteve, ndjesë kujtdo që s’i përgjigjem dot ose i bëj bllok pasi i përgjigjem njëherë- s’e kam llafin për ata që bllokun e kërkojnë menjëherë me fjalorin e tyre të rrugës- sepse jeni mijëra në radhë”

Pas protestave në rrugë, prej disa ditësh studentët janë “ngujuar” në fakultetet e tyre.

Lidhur me tarifat Kryeministri ka deklaruar se do paguhet 50% e tarifës për studentët nga 4-8 dhe 100% për të tjerët.

Sa i takon atyre që kanë paguar 100%, deklaroi se do të gjendet një zgjidhje, që ose do ju kthehen, ose do ju paguhet e plotë tarifa vitin që vjen. /a.y/noa.al