Transmetuar më 12-01-2019, 18:37

Të gjithë ata që prodhojnë, transportojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore të pasigurta do të dënohen me burg nga 2 deri në 10 vjet.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë që të ndryshojë Kodin Penal dhe të përfshijë dënim edhe për veprat kundër shëndetit të njeriut.

Në një intervistë për televizionin Klan, Arsiola Dyrmishi, shefe e sektorit juridik në Autoritetin e Ushqimit, sqaron se situata aktuale ligjore e bën të pamundur veprimin e këtij institucioni për të marrë masa ndaj bizneseve të cilët abuzojnë me konsumatorin, duke u mjaftuar vetëm me gjoba.

Ndryshime në Kodin Penal parashikohen edhe në rastet e falsifikimit të produkteve, deklarimeve të rreme mbi etikë të vlerave ushqimore apo dëmtimit të vulave dhe shenjave që garantojnë cilësinë e produkteve.

Në total gjatë vitit 2018, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka referuar në prokurori 65 kallëzime për vepra që lidhen me dëmtimin e shëndetit të njeriut nga operatorët e bizneseve, me qëllim rritjen e përfitimeve financiare për ta.

Shumica e referimeve të bëra janë pushuar nga prokurorët për mungesë të bazës ligjore pasi kërkon një verifikim shkencor të thelluar me raste konkretë, që sasitë e pakta të proteinës në rastin e miellit, apo vajit të palmës në rastin e qumështit kanë dëmtuar konsumatorët. Nëse ndryshimet do të bëhen, atëherë tregtimi i këtyre produkteve do të konsiderohet vepër penale, pavarësisht nëse është përdorur apo jo nga një konsumator.