Transmetuar më 12-01-2019, 13:01

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka ashpërsuar tonet, duke thënë se jemi në një situatë të vëshirë.

Nga Konventa e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi foli për tradhëti të interesave kombëtare, të cilat parti që ajo drejton nuk ka për t’i shkelur asnjëherë.

“Partia jonë që e ka emrin LSI është ajo parti politike, e cila në asnjë moment nuk do të tradhtojnë gjakun e mijëra burrave dhe grave që dhanë për Shqipërinë tonë të pavarur dhe krenare”, tha Kryemadhi.

Për të, momenti që po kalon vendi është ndër më të vështirën në historinë e shtetit shqiptar.

“Sot vendi ka një nga momentet e tij më të vështira, prandaj ne duhet të harrojmë idealin politik, sot e vetmja ideologji që duhet të qarkullojë, jo vetëm në LSI, por në gjithë klasën politike është vetëm një Shqipëria është shtëpia jone, atdheu, familja që duhet të kujdesemi si kujdesemi për shtëpinë tonë”, tha znj. Kryemadhi.

Kur bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve tanë, tha Kryemadhi duhet sakrifikuar gjithçka.

“Duhet të sakrifikojmë cdo gjë, edhe jetën, se cdo prind e jep jetën për të ardhmen e sigurtë të fëmijëve të tij. Ju e dini shumë mirë se Shqipërisë iu premtuan 300 mijë vende pune, nuk pamë, por pamë mbi 400 mijë shqiptarë të larguar, por mijëra biznese të mbyllura dhe falimentuara, lot nënash që qanin se nuk kishin mundësi të ushqenin fëmijët”, tha ajo. /k.k/noa.al/