Transmetuar më 12-01-2019, 08:50

Moti i keq me temperatura nën zero dhe reshje dëbore kanë ‘mbërthyer’ prej disa ditësh një pjesë të madhe të vendit,  kryesisht zonat veriore dhe ato juglindore.

Në qytetin e Bulqizës dhe Peshkopi trashësia e dëborës ka arritur 70 cm. Bashkitë e qarkut të Dibrës kanë deklaruar se situata është nën kontroll, ndërkohë banorët thonë se janë të izoluar prej disa ditësh.

Gjatë natës në qarkun e Dibrës temperaturat kanë arritur në -12 gradë celcuis. Problematike është situatë për 115 familje në Tërnovë të Madhe dhe Tërnovë të Vogël.

Ndërkohë, probleme paraqiten edhe në qarkun e Elbasanit.

Qarku Dibër

Temperaturat gjatë natës në qarkun e Dibrës kanë shënuar -12 gradë, ndërsa trashësia e dëborës është 70 cm. Në zonat e thella të këtij qarku bora arrin deri në 2 metra, ndërkohë që rrugët rurale janë të bllokuara. Raportohet se rreth 115 familje në Terrnovë të Madhe dhe Terrnovë të Vogël që prej disa ditësh janë të bllokuara. Mes të tjerash bëhet e ditur se aksi nacional Peshkopi-Tiranë në disa segmente kalohet me vështirësi pasi është prezenca e akullit në rrugë. Duke mos mjaftuar temperaturat nën zero, në këtë qark ka edhe mungesë të energjisë elektrike, ndërsa OSHE po punon për rikthimin e saj.

Qarku Elbasan

Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar ngrica në akset të rrugëve kombëtare në Qarkun e Elbasanit. Firmat nënkontraktore që mirëmbajnë këto segmente rrugore kanë hedhur kripë mëngjesin e sotëm në trasenë e rrugëve me akull për të evituar rrezikun në qarkullimin e automjeteve. Ndërkaq në aksin e rrugës Librazhd-Steblevë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve pasi në vendin e quajtur Shkalla e Lunikut ka akull në trashësi të konsiderueshme. Problem mbeten ende disa akse të rrugëve rurale në fshatrat malorë të Qarkut të Elbasanit ku trashësia e dëborës shkon 30-40 cm.