Transmetuar më 18-12-2018, 17:42

Ka nisur protesta te “Unaza e Re” në Tiranë sot për të 45 ditë me radhë. Banorët janë vendosur në të dyja asket e rrugës pranë mbikalimit në këtë zonë, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve.

Të vetmet mjete që janë lejuar të kalojnë, ka qenë një ambulancë dhe makinat që ishin para saj. Ndërkohë, udhëtareve të bllokuar në mjetet e tyre, banorët u bënë thirrje të fikin makinat dhe të bashkohen me protestën e tyre.

Me thirrjet “Toka jonë, shtëpia jonë”; “Poshtë projekti”; “Qeveri hajdute”, banorët e Unazës së Re kanë kundërshtuar prishjen e banesave të tyre. Ndërkohë në mbështetje të tyre kanë qenë edhe deputetë të Partisë Demokratike.

“Kjo lëvizje u nis për të mbrojtur shtëpitë tona por ky zaptuesi i karriges së kryeministrit tha që ne jemi zaptues dhe e kishte me shumë nxitim për të shkatërruar shtëpitë tona. A e shikoni se çfarë fshihej pas këtij nxitimi?

Karrigia e kryeministrit po tundet dhe jo vetëm nga ne. Këta njerëz të babëzitur të pushtetit nuk po shohin as për arsimin e as për shëndetësinë po donin të nxirrnin banorët në mes të dimrit jashtë”, deklaruan banorët.

Gjithashtu, u tha se takimet e Ramës me studentë ngjajnë si takimet e kryebashkiakut Veliaj me banorë të Unazës së Re, sipas tyre false. Banorët falënderuan opozitën për mbështetjen, si dhe dënuan kërcënimet ndaj gazetarit Ylli Rakipi.

“Një falënderim të veçantë kam edhe për Ylli Rakipin. Me kërcënime, me vjedhje, kanë ardhur në pushtet dhe tani tregojnë dhëmbët. Një turp i madh kush fshihet pas këtij krimi. Kontributi i këtyre banorëve dhe gazetarëve është i pamohueshëm”, tha një prej protestuesve nga megafoni i protestës. /b.l/noa.al/