Transmetuar më 18-12-2018, 15:46

TIRANË, NOA.AL – Dukuria e çifteve që hasin në vështirësi për të sjellë në jetë fëmijë, është shtuar shumë kohët e fundit.

Një vëzhgim i noa.al me pyetësor përmes telefonatash dhe komunikimi në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, evidentoi se në disa raste, çiftet, kryesisht të moshave midis 25 deri 35 vjeç, hasin vështirësi dhe janë në pritje për të sjellë në jetë fëmijë.

Ata shprehen se kryejnë marrëdhënie të pambrojtura prej muajsh dhe ende janë në pritje.

Sakaq, në raste të caktuara, pohojnë se kanë kryer vizita dhe analiza mjekësore, pasi kanë kaluar mbi katër apo pesë muaj që nuk kanë një shtatzëni.

Lidhur me këtë çështje, mjeku specialist Evin Dani, pohon se faktorët janë disa.

“Në kushte normale, mesatarisht një çift mund të konsiderohet steril pas të paktën 12 muaj marrëdhëniesh të rregullta të pambrojtura”, – thekson Dr. Dani.

Sipas tij, “steriliteti mashkullor varet nga numri dhe karakteristikat e spermatozoideve në lëngun spermatik”.

“Flasim për infertilitet primar kur mashkulli, në përpjekje, nuk ka arritur asnjëherë një shtatzëni dhe për infertilitet sekondar kur të paktën është arritur një shtatzëni”, – thotë mjeku i njohur androlog.

Dr. Evin Dani

Ai shton: “Shkaqet kryesore janë varikocela si dhe infeksionet e lidhura me organet seksuale dhe prostatën”.

Po ashtu, mjeku ekspert thotë se “numri, lëvizshmëria e spermatozoidëve është thelbësore për qëllime riprodhuese; në fakt, ata që vuajnë nga astenozospermi – sidomos kur kjo është serioze – kanë vështirësi në arritje e një shtatzënie”.

Mjeku Dani thotë se “një mënyrë për të paraprirë problemet, që mund të komplikohen me kohën, është kryerja e analizës të quajtur spermiogramë, i cili është sipas tij, testi kryesor për vlerësimin e cilësisë së lëngut spermatik.

“Vetëm pas një studimi të detajuar dhe sipas standardeve të përditësuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, andrologu mund të parashikojë një skemë të qartë mjekimi”, – thekson Dr. Dani.

Eksperti i andrologjisë, sugjeron dhe atë që njihet si “Vitality-Test”. (Shihni videon)

Por çfarë është ky test?

Z.Dani sqaron: “Ky është një test i cili përcakton proporcionin e spermatozoidëve që janë "të gjallë".

Dhe si matet ai? Dr. Dani përgjigjet: “Duke vlerësuar aftësinë e membranës së plazmës së spermatozoideve për të përjashtuar substancat jashtë-qelizore si p.sh ngjyruesit. Spermatozoidët që janë të pangjyrosur numërohen si të gjallë, ndërkohë ata që paraqesin ndonjë shenjë të ngjyrës rozë ose të kuqe quhen të vdekur.

Dhe pse është i rëndësishëm ky test? Mjeku Dani e ka sërish përgjigjen: “Siguron kontrollin mbi saktësinë e vlerësimeve të lëvizshmërisë, pasi përqindja e spermatozoideve të gjalla duhet të tejkalojë pak përqindjen totale të spermatozoideve të lëvizshme. Po ashtu, siguron një kontroll të shpejtë në të njëjtën kohë të vlerësimit të numërimit dhe të lëvizshmërisë”.

Këtu, mjeku Dani ka edhe një këshillë: “Duhet të kemi kujdes, sepse shumë laboratorë jo të specializuar nuk i japin rëndësinë e duhur këtij testi, duke deformuar informacionin për tek mjeku specialist”. /noa.al/