Transmetuar më 17-12-2018, 10:21

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja nuk i ka shpëtuar dot procesit të vetingut.

Ditën e sotme Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi shkarkimin e kreut të Kushtetueses.

Gjithçka pasi Dedja ka rezultuar me pasuri të pajustifikuara. Kujtojmë se në muajin korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.

Ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ai që i paraqiti Komisionerit Publik rekomandimin për të ankimuar këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Më herët Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se kreu i Kushtetueses ka para të pajustifikuara dhe paqartësi në deklaratën e pasurisë.

Mësohet se ai ka një apartament në Tiranë 146 metra katrorë, për të cilin pretendon se ka marrë një kredi prej 120 mijë eurosh me afat 20 vjet.

Po ashtu për blerjen e hyrjes ai ka deklaruar se 35 mijë euro i ka kursime dhe ka marrë hua 25 mijë euro nga vëllai dhe kunati.

Por vëllai i gjyqtarit në kohën kur i ka dhënë 15 mijë euro borxh, rezulton se ka blerë dhe një apartament 40 mijë euro me kredi.

Probleme janë konstatuar edhe me pronësinë e një apartamenti tjetër në Tiranë 98 metër katrorë, i blerë në vitin 2003.

Lidhur me të Bashkim Dedja ka deklaruar se e ka në bashkëpronësi me vëllezërit, ndërsa më tej ka bërë ndryshim, duke thënë se është vetëm i tij. /a.y/noa.al

Vettingu, Bashkim Dedja: Sikur të kalosh ‘varrin për së gjalli’