Transmetuar më 16-12-2018, 22:23

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto ka vendosur mos t’ia lërë harresës arrestimin dhe mbajtjen në paraburgim më tepër se një vit.

Përmes një padie civile, ish zyrtari i lartë kërkon të dëmshpërblehet nga shteti për secilën ditë që u mbajt në qeli.

Përkatësisht për periudhën nga 21 shkurti 2017 kur u prangos sipas një masë sigurie të shpallur në mungesë deri në 19 shtator 2018, ditën kur u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Me argumentin se dëshmitari i drejtësisë që e akuzonte po përpiqej të lehtësonte pozitën e tij para drejtësisë, Artur Zoto këmbënguli pafajësinë gjatë 20 muajve proces gjyqësor.

Zoto, i cili para drejtimit të burgjeve ka qenë gjithashtu zyrtar edhe në Policinë e Shtetit u gjykua i veçuar nga pjesa e biznesmenëve që akuzoheshin se ishin favorizuar për të fituar tenderin e ushqimeve në burgje.

Por duke iu referuar deshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Iliaz Labi, shkalla e parë e dënoi Zoton me 5 vite burgim.

Ky dënim u hodh poshtë nga apeli dhe për rrjedhim Artur Zoto që akuzohej për korrupsion u shpall i pafajshëm.

Një vendim ky i formës së prerë dhe që nuk u rekursua nga Prokuroria. Nga ana tjetër Iliaz Labi dhe tre biznesmenë u dënuan me nga rreth 2 vite burgim secili.

Nuk ka ende një qëndrim nga Prokuroria nëse do ta hetojë apo jo dëshmitarin e drejtësisë për dëshmi të rreme para Gjykatës. /TCH/