Transmetuar më 15-12-2018, 10:12

Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Durrësit, lidhur me grabitjen e një automjeti që transportonte paratë e Drejtorisë së Patentave në qytetin e Durrësit, ngjarje e ndodhur pasditen e kësaj të premteje.

Të arrestuarit janë Fejzi Sakaj, 46 vjeç, punonjës në shoqëri sigurimi private dhe Astrit Gjata, 55 vjeç, banues në Durrës, punonjës në shoqëri sigurimi private.

Dy të ndaluarit u vunë në pranga pasi dyshohet të kenë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithçka pasi ditën e djeshme, në lagjen nr.14 Shkozet dyshohet se tre persona me një mjet, nën kërcënimin e armës dhe të maskuar i kanë dalë përpara një mjetit të shoqëri private sigurimi, që po transportonte paratë e Ndërmarrjes së Drejtorisë Rajonale të Transportit Durrës në një bankë të nivelit të dytë dhe i kanë marrë një shumë parash.

Aktualisht nga ana e policisë vijon puna për kapjen e autorëve të dyshuar.

Nën kërcënimin e armëve, grabitësit kanë marrë të gjitha paratë që kanë qenë në makinë.

Mësohet se shuma e grabitur është rreth 75 milionë lekë të vjetra.

Bëhet e ditur se autorët neutralizuan rojet private dhe pasi morën sasinë e parave u larguan në drejtim të Shijakut. /a.y/noa.al

Me maska dhe armë, grabitet automjeti që transportonte paratë e Drejtorisë së Patentave