Transmetuar më 15-12-2018, 08:11
Albano Xhaferri

Thellohet hidhërimi në familjen e Albani Xhaferrit të riut vlonjat, i cili qysh prej muajit qershor rezulton i zhdukur.

Babai i tij Luto Xhaferri, 72 vjeç, ka ndërruar jetë në orët e vona të së enjtes në shtëpinë e tij në Vlorë.

I moshuari gjeti vdekjen si pasojë e një infarkti, duke marrë me vete pengun për fatin e të birit.

Ishte ky i fundit ai që denoncoi zhdukjen e të birit, duke hedhur dyshime se ai mund të jetë vrarë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se 30-vjeçari është rrëmbyer dhe më pas vrarë, ndërsa nuk ka ende gjurmë nga trupi i tij.

Si u zhduk Albano Xhaferri dhe dëshmia që hedh dyshimet për vrasje

Mëngjesin e 17 qershorit, Albano Xhaferri u largua nga shtëpia, pa u ndarë me fëmijët dhe gruan, Danielën. Doli për një kafe me mikun e tij Arbër Turja. Gruas i tha se do të kthehej shpejt në shtëpi, një apartament i vogël në rrugën trasballkanike në Vlorë, ku prej dy vitesh banon familja e 34 vjeçarit.

Një dëshmi në polici është bërë shkak që Edison Harizaj, personi i cili mbeti i vrarë në atentatin me armë zjarri në Durrës, të jetë i dyshuar për zhdukjen e të riut vlonjat, Albano Xhaferri.

Kjo pasi Gazmend Merkaj, i cili akuzonte Harizaj për rrëmbimin dhe vrasjen e Albano Xhaferrit.

Ka qenë pikërisht Merkaj, i cili më 1 gusht u dorëzua në policinë e Fierit, pak pasi kishte denoncuar në policinë e Vlorës, se në makinën e tij tip Bmw, ishte vendosur një sasi eksplozivi, gjë që nuk rezultoi e vërtetë.

Por duket se Merkaj është dorëzuar në polici bashkë me një pistoletë, pasi i druhej ndonjë hakmarrje të mundshme, pasi tha para uniformave blu, se do të dëshmonte për zhdukjen e Albano Xhaferrit në Vlorë, duke insistuar se ai ishte vrarë.

Merkaj dëshmoi para efektivëve të policisë se me porosi të Edison Harizaj, tre persona, Aleksandër Çaushaj, Ilir Shaka dhe Ardit Kola, e rrëmbyen Xhaferrin, duke e dorëzuar pranë një kompleksi në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku ishte dhënë edhe porosia.

Po ashtu Merkaj ka thënë se Albano Xhaferri është vrarë në makinën me të cilën është rrëmbyer, për tu dorëzuar më tej në garazhet e një kompleksi, në pronësi të Edmond Harizaj.

Dyshohet se Xhaferri ka pasur dijeni lidhur me autorët e plagosjes së Ferdinant Llanaj dhe Dritan Begaj, ku mbetur i plagosur edhe një fëmijë 8 vjeç, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2017 dhe për këtë arsye është rrëmbyer dhe vrarë.

Sakaq Edmond Harizaj u ekzekutua në Durrës më 7 nëntor. Si pasojë e të shtënave 39-vjeçari vlonjat, i cili njihet ndryshe edhe si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, mbeti i vrarë.

Krahas Harizaj, mbeti i plagosur rëndë edhe shoku i tij Genci Caci 33 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të rënda, u transportua drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Ekzekutimi ndodhi në lagjen nr.13 të Durrësit, teksa Harizaj dhe Caci, po udhëtonin me një makinë “Audi A8” në momentin kur i ekzekutuan.

Mendohet se atyre iu është bërë pritë me breshëri kallashnikovi, pasi ishin nisur nga Tirana, drejt Vlorës.

Sakaq Harizaj, rezulton me një të shkuar me precedentë penalë, madje deri në vitin 2010 ka qenë në burg, i dënuar për vrasje.

Por 39-vjeçari vlonjat Edison Harizaj, njihej ndryshe si Edison Faqedjeguri, pasi në vegjëli kishte pësuar një djegie në faqe.

Ndërsa rezulton me një sërë precedentësh penalë, Harizaj mendohet se ka qenë i përfshirë në atentatin me eksploziv ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili gjeti vdekjen pasi makina e tij u hodh në erë në mes të Vlorës, në 9 shtator të vitit 2011.

Po ashtu Harizaj, rezulton person me precedentë penalë, ndërkohë që dyshohet të jetë i përfshirë në zhdukjen e Albano Xhaferrit, në Vlorë.

Albano Xhaferri është deklaruar i zhdukur qysh prej 18 qershorit, ditë nga kur familjarët nuk kanë pasur asnjë kontakt me të.

Familjarët kanë thënë në polici, se Albano doli nga banesa pas një telefonate nga një i njohur i tij dhe se pikërisht ky i njohur e ka marrë të riun në makinë, për të mos e kthyer më mbrapsht.

Ndërkohë pak ditë pas Xhaferrit, është zhdukur në rrethana ende të paqarta edhe shoku i tij me të cilin ishin kthyer së bashku nga Belgjika, Ervis Troqe. /a.y/noa.al