Transmetuar më 14-12-2018, 17:23

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit burg kreun e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Fatmir Metaj, pasi akuzohet për ‘shpërdorim detyre’. Gjithashtu Fatmir Metaj është dënuar me 3 vite pezullim funksioni.

Në akuzën e ngritur nga prokuroria e Tiranës pas kallëzimit të disa qytetarëve Metaj u mor i pandehur për prishjen e katër objekteve, një prej tyre me leje ndërtimi dhe tre objekte në proces legalizimi. Objektet e prishura kanë qenë të ndërtuara në rrugën ‘Mihal Grameno’, përgjatë rrugës së Vaqarrit dhe në ish “Uzinën Enver”.

Sipas prokurorisë këto objekte nuk duhet të ishin prishur pasi një prej tyre ishte i pajisur me leje dhe tre të tjerët në proces legalizimi çka pamundësonte zbatimin e procedurës së ndjekur nga IKMT për prishje.

Këto prishje janë realizuar përgjatë viteve 2013-2014 dhe sipas hetimeve të prokurorisë Fatmir Metaj dhe stafi i tij kanë vepruar në kundërshtim me ligjet në fuqi. Fatmir Metaj, ish kreu i komisariatit të Tropojës në vitin 1998, është një emër i lakuar edhe në vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari pasi automjeti me të cilin udhëtoi Famir Haklaj nga Tropoja drejt Tiranës ishte në pronësi të Metës.

Kujtojmë se në verë Fatrmit Metaj pati dhe një përplasje me deputetin e PD në Jalë, Agron Shehajn.