Transmetuar më 13-12-2018, 15:30

Pas disa orësh protestë para parlamentit studentët janë zhvendosur drejt kryeministrisë. Protesta është shumë paqësore dhe studentët theksojnë se ajo nuk do ndalet deri në plotësimin e 8 kërkesave të tyre për të cilën nuk kërkojnë negociata, por vetëm vendimmarrje.

“Shumë mirë vetë kryeministri dhe ministrja thonë që 8 kërkesat janë të drejta. Rama thjeshtë ti pranojë kërkesat” thotë një student.

Disa prej tyre madje janë ulur këmbëkryq poshtë zyrës së kreut të qeverisë, ndërsa shprehen se janë në pritje.

“Kjo nuk është përçarje, do jemi të gjithë bashkë. Vendimi u mor shumë spontanisht, nuk ka përçarje mes studenteve. Do kthehemi nga Kryeministria”, tha një nga studentët.

Një tjetër student tha se do të qëndrojnë edhe gjatë natës para kryeministrisë, nëse është e nevojshme.

Protestuesve të Tiranës i janë bashkuar edhe studente nga Elbasani, e Shkodra e Durrësi.

Sakaq në fjalën e tij në Kuvend, Rama i ftoi të rinjtë për dialog, duke iu thënë se të teta kërkesat e tyre janë të realizueshme.

Në vijim me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkroi “Miq! Kori i protestës kur s’të dëgjojnë është domosdoshmëri. Refuzimi në kor i dialogut është dobësi. Ju duhet ta dini që unë jam me ju. Jam gati për të 8 pikat. Duhet të diskutojmë si e kur do të realizohen. Nëse ju s’doni ta kuptoni këtë,vazhdoni mbajini peng të 8 pikat. Unë ju pres”.

Më tej ai tha se, “Mos jini pengesa e vetvetes dhe mos e mbysni protestën me duart tuaja! Kjo protestë duhet të mbetet fuqi e ndryshimit të universitetit, jo të katandiset në fuqinë bllokuese të dialogut për Universitetin”.

Po ashtu Rama tha se protesta është shuplakë për të hapur sytë më shumë për të parë se çfarë ndodh brenda universitetit./b.l/noa.al/