Transmetuar më 13-12-2018, 12:10

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve dhe zërave për procedimin penal ndaj disa studentëve dhe pedagogëve pjesëmarrës në protestat e zhvilluara këto ditë në vendin tonë.

Duke folur në seancën e sotme parlamentare, ministri tha se ky lajm ka gjetur një jehonë të gjerë mediatike, publike, ka pasur diskutime dhe elaborime të shumta.

“Edhe miq të mi në radhët e profesorëve më kanë shqetësuar dje lidhur me pakuptimësinë e këtij lajmi, ose të kësaj ndërhyrjeje të policisë, dhe në momentin më të parë që gjeta kohë për t’u marrë me ketë çështje, i kam kërkuar Policisë së Shtetit informacione të detajuara rreth kësaj ndërhyrjeje, rreth këtij procedimi dhe për befasinë time të madhe rezulton që lajmi është plotësisht i pavërtetë. Dje nuk ka patur kurrfarë procedimi penal ndaj asnjë pedagogu dhe ndaj asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e vendit”, u shpreh Lleshaj.

Ai tha se kjo gjë është lehtësisht e provueshme, në qoftë se dikush do kishte marrë mundimin të interesohej pranë organeve të Prokurorisë apo përmes avokatëve përkatës.

“Nuk ka pasur asnjë lloj procedimi penal ndaj asnjë pedagogu apo asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e ditëve të fundit, të zhvilluara në Tiranë apo në qarqet e tjera të vendit”, deklaroi prerazi.

Lleshaj tha se pas këtij konstatimi ka filluar procedurat për të nxjerrë përgjegjësinë ndaj atyre personave përgjegjës në Policinë e Shtetit, të cilët nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshme për ta përgënjeshtruar këtë lajm. /a.y/noa.al

Procedimet penale ndaj protestuesve, Policia e Shtetit del me deklaratë