Transmetuar më 13-12-2018, 10:40

Kryeministri Edi Rama, tha nga foltorja e Kuvendit se studentët e nxorrën opozitën jashtë Kuvendit dhe e detyruan në ilegalitet, duke ju bashkuar protestës të maskuar.

Lidhur me propozimet e LSI për të amenduar ligjin për arsimin e lartë, Rama tha se janë propozime të refuzuara se janë propozime të bëra për të mos u bërë kurrë. Për rrjedhojë ato u hodhën në votim dhe u rrëzuan.

Duke folur për protestën e studentëve, ku të rinjtë po protestojnë sot para Parlamentit, kreu i qeverisë Rama tha se, “E para protesta i dha në shuplakë qeverisë, e dyta i dha një grusht opozitës dhe i dha një shpresë shoqërisë. Shoqëria kërkon zgjidhje dhe shoqëria nuk mund ta pranojë se zgjidhja mund të vijë me porosi nga doktoresha e shkencave Monika Kryemadhi, Lulzim Mziu, apo profesor qorri”.

Ai tha se zgjidhja për studentët vjen vetëm me dialog, por se opozita kërkon bllokim të zgjidhjes dhe se “kërkon të nxjerrë gështenjat nga zjarri duke futur studentët në qorrsokak”.

Duke sqaruar se pse duhet dialogu, ai tha se një nga pikat e kërkesave është vetingu i titujve, për të cilin tha se ka një plan se si duhet bërë.

“Brenda 6-mujorit të ardhshëm Monika do jetë doktoresha e parë e shkencave që do heq titullin e doktorit dhe do mbetet vetëm me çizmen e LSI”, deklaroi Rama.

Më herët deputeti demokrat Luçiano Boçi i hodhi fytyrës kreut të qeverisë ligjin e arsimit të lartë. Pas tij Ervin Salianji, tentoi që të bllokojë dhe foltoren./a.y/noa.al

Studentët bëhen bashkë në protestë para Parlamentit, Kushtetutë dhe libra në duar