Transmetuar më 13-12-2018, 08:30

Studentët kanë hyrë në ditën e nëntë të protestës së tyre, teksa një pjesë e të rinjve e kanë vijuar protestën, duke e kaluar natën para Kryeministrisë.

Ata kanë qëndruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke sfiduar temperaturat nën zero, të mbështjellë me batanije.

Sakaq ditën e sotme, protestuesit të cilët gjatë së mërkurës u ndanë një pjesë para ministrisë së Arsimit dhe një pjesë te Kryeministria, kanë paralajmëruar të bëhen bashkë para Parlamentit.

Më konkretisht nga ora 08.30 deri në 09.30, ata do të mblidhen në fakultetet e tyre, për të marshuar drejt parlamentit, ku në orën 10.00 nis seanca e sotme parlamentare.

Sakaq të rinjtë kanë paralajmëruar se nëse as ditën e sotme kërkesat nuk gjejnë zgjidhje, pas përfundimit të seancës do të bëhet përshkallëzimi te Kryeministria.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama prej ditësh shprehet se është gati që të plotësojë kërkesat e tyre, por jo pa dialog.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al