Transmetuar më 12-12-2018, 18:07

Në ditën e 39-të të protestës, banorët e Unazës së Re, me pankarta në duar kërkojnë anulimin e projektit, i cili parashikon shembjen e shtëpive të tyre, ndërsa nuk kanë munguar edhe thirrjet kundër ARRSH-së deri dhe kërcënime ekstreme.

“I bëjmë thirrje ARRSH të mos afrohet, se do ta djegim për së gjalli, mos guxojë të afrohet”, tha njëra nga banorët e Astirit.

Në protestën e sotme, Basha nuk ishte i pranishëm, por opozita përfaqësohej nga deputetët Klevis Balliu dhe Endrit Braimllari, të cilët i bënë thirrje qytetarëve që ti bashkohen protestave që kanë shpërthyer në gjithë Shqipërinë.

“Kam 40 ditë që e denoncoj këtë aferë korruptive, paratë e këtyre banorëve po vidhen barbarisht.

Përsa i përket dialogut, studentët janë në të drejtët e tyre, ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë t’i mbështesin dhe t’i bashkohen”, u shpreh deputeti i PD-së, Klevis Balliu nga protesta.

Nga ana tjetër, edhe deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari në të njëjtën linjë shprehu bindjen se do t’i shkojë aferës deri në fund.