Transmetuar më 12-12-2018, 16:15

Senati Akademik i Universiteti i Tiranës, në një deklaratë për mediat ka bërë publik qëndrimin e tij në lidhje me debatin për arsimin e lartë, dhe për protestën e studentëve.

Në këtë deklaratë bëhet më dije se Universiteti i Tiranës nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosje tarifash për provimet e bartura.

Më tej thuhet se mbështesin dhe kërkesën e studentëve për uljen e tarifave të shkollimit, për studimet e larta.

“Universiteti i Tiranës nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosje tarifash për provimet e mbartura (pika 4 e shfuqizuar e Vendimit nr.288, datë 21.5.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë”).

Universiteti i Tiranës mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave të shkollimit, dhe ngarkohet Bordi i Administrimit të bëjë përllogaritjen e efekteve financiare për UT-në”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa shtojnë se, “Në kuadër të arsimit cilësor, etikës në kërkim, transparencës dhe përfshirjes më të gjerë të studentëve, merr përsipër të përshpejtojë të gjitha mekanizmat përkatëse materiale dhe proceduriale për realizimin e tyre brenda këtij viti akademik.

Në aktet e brendshme të Universitetit të Tiranës do të parashikohen rregulla të qarta për rritjen e pjesëmarrjes së studentëve në veprimtaritë akademike dhe financiare.

Universiteti i Tiranës merr përsipër ngritjen e një grupi të përbashkët pune pedagogë-studentë për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura si dhe të çështjeve të tjera që lidhen me përmirësimin e veprimtarisë së UT-së”./b.l/noa.al/