Transmetuar më 12-12-2018, 12:52

Këshilli i Ministrave është mbledhur sot në kryeministri për të miratuar disa vendime, mes të cilëve edhe ai për shpërblimet e Vitit të Ri 2019.

Edi Rama, kryeministër i vendit, njoftoi dhënien e një shpërblimi për pensionistët.

Ai tha se “Qeveria vendosi për pakon e Vitit të Ri për pensionistët (50USD)”.

Burime zyrtare nga Kryeministria thanë për noa.al se shpërblimi i akorduar për pensionistët në fakt është 5 mijë lekë të rinj dhe jo 50 USD që të konvertuara në kursin ditor janë 5500 lekë.

Mësohet se nuk ka deri tani asnjë vendim tjetër për dhënie shpërblimi për kategoritë e tjera të shtetasve dhe as për administratën publike.

Çfarë mund të blesh për festa me 5 mijë lekë

Është fund viti dhe janë dy festa të rëndësishme, ajo e Krishtlindjes dhe ndërrimi i viteve.

Rëndom si çdo fundviti, në Shqipëri rriten ndjeshëm çmimet e të gjithë artikujve të konsumit festiv.

Në një vëzhgim në tregje dhe dyqane, mund të përllogaritësh lehtësisht se çfarë mund të blesh me 5 mijë lekë.

Kjo shumë është e mjaftueshme për të blerë një gjel deti të therur, por jo nëse zgjedh të blesh një gjel deti të gjallë.

Me 5 mijë lekë mund të blesh 30 kokrra shegë, ose disa kilogramë mollë.

Me të njëjtën shumë mund të blesh një tepsi bakllava ose një tortë festive familjare.

Sigurisht që me pesë mijë lekë, është e pamundur që t’i blesh të gjitha këto, ndaj vendimi i pensionistëve , do të jetë i vështirë për të zgjedhur…

***

Qeveria në mbledhjen e sotme ka rikonfirmuar aplikimin nga viti 2019 të shpërblimit për lindjen e fëmijëve, duke akorduar 40 mijë lekë për fëmijën e parë, dyfishin për të dytin dhe trefishin për të tretin. /noa.al/