Transmetuar më 12-12-2018, 10:17

Ditën e sotme mbushen plotë tetë ditë nga momenti kur studentët e universiteteve publike, dolën në rrugë për të protestuar.

Por pas protestës masive të së martës, ditën e sotme të rinjtë kanë dalë sërish në rrugë, me thirrje për plotësimin e kërkesave të tyre dhe pankarta në duar.

Të rinjtë janë nisur nga fakultetet e tyre për t’u drejtuar për nga ministria dhe Arsimit, ku dhe është destinacioni i tyre final.

Studentëve të Tiranës, ju janë bashkuar edhe një pjesë e gjimnazistëve, ndërkohë që edhe Universitetet e rretheve kanë bojkotuar mësimin, duke u solidarizuar në protestë.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al