Transmetuar më 12-12-2018, 08:12

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një komunikim për mediat mëngjesin e sotëm, bëri me dije se deputetët e partisë së saj do të bëjnë amendamentet përkatëse që iu japin përgjigje studentëve protestues.

Ajo detajoi se në ligjin për buxhetin, propozohet amendimi që ndryshon totalin e shpenzimeve buxhetore.

Sipas saj, totali i shpenzimeve buxhetore në arsimin universitar nga 7 miliardë, të kthehet në 14 miliardë lekë.

Po ashtu propozoi që fondi i emergjencës në arsimin universitar të jetë një fond prej 5 miliardë lekë, për përmirësimin e infrastrukturës së studentëve.

Ndër të tjera, propozoi amendamentin që siguron rritjen në masë 50% të përfaqësimit të studentëve në bordet e administrimit.

Kryemadhi tha se me anë të këtyre amendamenteve i bëhet thirrje Edi Ramës, kreut të Kuvendit dhe deputetëve që ti kalojnë sa më parë amendimet në Kuvend, si mënyrë që t’iu jepet zgjidhje menjëherë studentëve.

“I bëj thirrje Edi Ramës të miratojmë urgjentisht të 140 deputetët, këto dy amendamente që ju japin zgjidhje studentëve”, u shpreh Kryemadhi.

Sipas saj koha e Edi Ramës ka mbaruar dhe se tallja që po i bëjnë të rinjtë në rrjetet sociale, është më keq se tërheqja zvarrë e bustit të Enver Hoxhës.

Ajo e mbylli fjalën e saj duke thënë se, "Sot të gjithë shqiptarët do jenë bashkë me fëmijët e tyre".

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al