Transmetuar më 06-12-2018, 20:06

Nga Xhoen Tugu

Sot lexova një koment shumë interesant, teksa doja të informohesha në lidhje me protestën e ndodhur tek ministria e arsimit. Thoshte: "Dhjetori është gjithmonë një pranverë për shqiptarët".

Vitet e fundit kam dëgjuar shumë biseda, kam lexuar shumë artikuj sesi po degradon rinia shqiptare. Qëndrojnë kafeve, janë përtacë, nuk dëshirojnë të shkollohen dhe duan lekun "e lehtë".

Dhe ja ku jemi, në këtë të enjte më 6 dhjetor, ku kemi parë një nga protestat më masive të rinisë shqiptare, ndoshta më e rëndësishme dhe se ajo e armëve kimike disa vite më parë.

Mu rrënqeth mishi e mu ngroh shpirti. Shikoja me krenari video të bashkëmoshatarëve të mi, të cilët ngrinin zërin pa ju dridhur qerpiku, për atë që i takon. Duke thirrur më së shumti: "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa", njësoj si prindërit tanë 27 vite më parë, tashmë duke marrë stafetën.

Një buzëqeshje më erdhi dhe mu ngrit vetvetiu. Mu kujtua një shok i imi shumë i ngushtë, i cili pak vite më parë, u pranua në një prej universiteteve më të mira të Evropës dhe botës për ligj në Berlin, por në mënyrë të habitshme nuk ishte fitues në degën e juridikut për universitetin e Tiranës.

Jetojmë në një vend, ku shteti prej vitesh nuk punon për të zhvilluar arsimin dhe rininë, por për ta shkatërruar atë.

Më vjen keq për bashkëmoshtarët e mi, të cilët mundësitë e vetme për punë në këtë vend janë si kamerier/e, apo në call center.

Më duhet të shtoj se gëzoj respekt të madh për të rinjtë që kryejnë këto punë, sepse në fund të ditës dëshirojnë të sigurojnë të ardhura për veten ose familjet.

Pavarësisht se studioj në një universitet privat, e shoh këtë kauzë si të gjithëve ne. Jam edukuar me parimin se duhet të luftoj deri në fund për atë që besoj.

I falënderoj të gjithë njerëzit që ishin sot pjesëmarrës në atë protestë, që më bënë të besoj se rinia shqiptare jeton, e është gati të "luftojë". Dhe pranvera, le të jetë sa më e begatë…

* Student, Tiranë