Transmetuar më 06-12-2018, 08:28

Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën e sotme me një nga ikonat e futbollit shqiptar.

Ai thotë se kapiteni legjendar i kombëtares kuqezi, Lorik Cana, është padyshim një nga personalitetet e spikatura të futbollit tonë dhe një ambasador i shkëlqyer i vlerave më të mira njerëzore e sportive të shqiptarëve në botë.

“Jeta dhe karriera e tij, e përmbledhur mjeshtërisht në filmin dokumentar ‘Loriku’ është jashtëzakonisht frymëzuese për rininë e fëmijët shqiptarë. I uroj suksese në angazhimin e ri me Fondacionin e tij në shërbim të fëmijëve e sportit. Faleminderit Kapiten për emocionet që na ke dhuruar me talentin tënd dhe për promovimin e Shqipërisë”, shkruan Meta.

Për këtë ai publikon një fotografi, ku të dy shihen duke bërë simbolin e shqiponjës me duar. Në filmin dokumentar në nderim të futbollistit përmblidhen fazat më të rëndësishme në jetën dhe karrierën e Canës.

Përmbledhja e jetës së tij u prezantua mbrëmjen e kësaj të mërkure, mes personaliteteve të shumta të sportit, artit dhe politikës. /a.y/noa.al