Transmetuar më 27-11-2018, 10:30

Kryeministri Edi Rama thotë se gjatë vitit 2017 janë pesëfishuar lejet e ndërtimit për turizmin në raport me katër vite më parë, si një sektor i cili premton zhvillim të qëndrueshëm.

Duke folur ditën e sotme në konferencën e investitorëve të turizmit, kreu i qeverisë tha se nuk do të jepen më leje për fshatra turistikë që të kthehen në zona banimi, pasi ato kthehen në shkretëtirë pas përfundimit të sezonit.

“Në rastin e dhënies së një leje ndërtimi fillimisht do të jepet për një resort se fshatra turistik do të thotë të hash sot dhe pastaj të mbetesh në uri, në muajt në vijim. Resortet patjetër që do të jenë mikse, do të ketë hoteleri dhe akomodim në pjesën për vila individuale, por lejet e zhvillimit do të zbardhen në dy faza, do bëhet njëherë hoteli, pastaj do të bëhen vila”, u shpreh Rama.

Ai iu bëri një apel investitorëve, duke iu thënë që të mos e marrin mundimin të kërkojnë leje me album fshatrat turistik, nëse më parë nuk do të ndërtojnë hotel.

Rama kërkoi projekte që i përgjigjen ambicies për të zhvilluar një sektor të qëndrueshëm, në një kohë që fqinjët “janë ujq të vjetër dhe të rinj” dhe që në konkurrencë globale ja dalin të jenë të dalluar.

“Nuk jemi në një provincë për sa i përket turizmit, jemi një nga qendrat. Nuk janë ata më budallenj dhe ne më të zgjuar se ta që për 20 e kusur vite kemi marrë themelet e asaj që duhet të kishte industria për t’i kthyer në mëhalla. Brandet e njohura për të cilat kemi krijuar një legjislacion, nuk mjaftojnë sepse duhet që në të gjithë vijën horizontale të zhvillimit t’u qëndrojmë besnikë disa parimeve themelore. Nuk mund të shkojmë në disa drejtime që janë drejtimet e të tjerëve. tonë. Të bazohemi tek ekselenca në mikpritje. Përqindja më e madhe e turistëve janë të tërhequr nga historia, trashëgimia, e veçanta e këtij vendi”, deklaroi Rama.

Ai e mbylli fjalën e tij me thirrjen për investitorët, “Ju lutem mos hajdeni të kërkoni leje për gjëra të shëmtuara, ndërsa për çdo gjë tjetër ne jemi në dispozicionin tuaj”. /a.y/noa.al