Transmetuar më 21-11-2018, 08:56

Presidenti Ilir Meta priti ditën e djeshme në takim, zonjën Lefteri Dedej, e cila prej kohësh apelonte nevojën për gjak.

Emisioni “Fiks Fare” solli në vëmendje pak ditë më parë rastin e zonjë e cila vuan nga talasemia dhe në bankën e gjakut nuk kishte gjak për të.

Lefteri Dedej nga fshati Konjati, Dushk i Lushnjës apelonte për ndihmë pasi prej katër muajsh kishte marrë vetëm një qese gjak. Zonja Dedej kërkonte gjak në spitalin e Lushnjës “Ihsan Çabej” por mjekët pretendonin se nuk ka dhe se duhet të gjente vetë një dhurues për ta ndihmuar.

Pasi u njoh me rastin në fjalë Presidenti Ilir Meta fillimisht nëpërmjet kabinetit të tij kontaktoi drejtuesit e emisionit dhe premtoi se në kuadrin e “Aleancës për Dhurimin e Gjakut” shumë shpejt do të organizonte një seancë dhurimi gjaku për t’i shkuar në ndihmë jo vetëm zonjës Lefteri Dedej por edhe të gjithë atyre banorëve në këtë bashki që kanë nevojë për gjak.

Dhe këtë të martë, Presidenti Meta e mbajti premtimin, teksa priti së pari në zyrë zonjën Dedej e më pas së bashku udhëtuan drejt një klinike private, ku u organizua një seancë për dhurimin e gjakut nga studentë dhe të rinj për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të Lushnjës që kanë nevojë.

“Është krijuar një shqetësim që unë mendoj që është e panevojshëm, por që për ju është jetik. Edhe unë jam njohur nga mediat për këtë shqetësim. Këto janë raste për të reflektuar dhe për të përmirësuar më mirë funksionimin e gjithë këtij mekanizmi pasi unë besoj se ne i kemi të gjitha kapacitetet që të mos kemi asnjëherë raste të tilla. Falënderoj edhe emisionin për këtë raportim dhe shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten më”, tha Presidenti Meta. /a.y/noa.al