Transmetuar më 21-11-2018, 08:19

Kosto vjetore e trajtimit të mbetjeve për 1 banor llogaritet në 1329 lekë në vit  ose 10.4 euro sipas një metodologjie tashmë të miratuar nga Këshilli Konsultativ i pushtetit vendor me herët këtë vit. Metodologjia që përcakton koston e trajtimit të mbetjeve u hartua këtë vit dhe është referencë për të njësitë e pushtetit vendor kur ata të miratojnë tarifat e pastrimit.

Sipas kësaj metodologjie një familje me 4 anëtarë duhet të paguajë gjatë një vit një tarifë të përafërt me koston që përllogaritet 5316 lekë të reja në vit, por ndërkohë tarifat specifike do të miratohen nga Këshillat Bashkiake. Aktualisht bashkia e Tiranës më e madhja në vend aplikon tarifë për pastrimin 5000 lekë në vit për familje.

Në koston vjetore prej 1329 lekë për banorë, 478 lekë i zënë shpenzimet për grumbullimin, 495 lekën janë shpenzimet për depozitimin, 196 lekë janë shpenzimet për transportin  dhe 160 lekë llogaritet amortizimi.

Sistemi standard i llogaritjes së kostos për menaxhimin e mbetjeve bazohet në të paktën 6 blloqe të dhënash, ku spikasin investimet kapitale në kamionë dhe kazanë, kostot operative dhe të mirëmbajtjes si transporti dhe personeli, kostot e trajtimit në landfill, kostot e amortizimit dhe ato administrative, shkruan ‘monitor’.

Kostot ndryshojnë nga njëra njësi në tjetrën në varësi të numrit të popullsisë dhe terrenit gjeografik dhe sasisë totale të mbetjeve të gjeneruara.

Në totalin e koston është e përfshirë edhe shuma e totale e tarifës e cila merr në konsideratë shkallën e mospagimit të tarifave për mbetjet. Ajo duhet të jetë pjesë e vendimit të NJQV për të përcaktuar se cila pjesë e kostos duhet të jetë e mbuluar nga të ardhurat tarifore dhe cila do të jetë e mbuluar nga të ardhurat e tjera të njësisë së qeverisjes vendore. Por ndërkohë shuma e vërtete e parave të mbledhur në një vit duhet të mbulojë koston reale vjetore të shpenzuar për menaxhimin e mbetjeve me qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë së shërbimit.

Modeli për përcaktimin e kostos për banorë të trajtimit mbetjeve sipas metodologjisë dhe përvojës së krijuar ndaj furnizimit me ujë, duke përdorur faktorin e faturimit si kriter vendosje të tarifës, e cila në vetvete llogaritet nga një përzierje e disa treguesve.

Modeli ofron mundësinë për përjashtimin e familjeve në skemën e ndihmës sociale, por hollësitë vendosen nga këshillat vendore.

Shpërndarja e kostos për banor në vit

Depozitimi      495

Grumbullimi    478

Transporti        196

Amortizimi      160

Totali   1329

Burimi: Këshilli Konsultativ i pushtetit vendor