Transmetuar më 20-11-2018, 17:50

Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin për kalimin e procesit të vettingut për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Arben Dollapaj. Sipas Komisionerit Publik, hetimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk është i plotë dhe se provat janë të pamjaftueshme për konfirmimin e tij në detyrë.

"Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit", thuhet në njoftim.

Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit administrativ, të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të mund të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al.

Prokurori i Apelit në Shkodër, Arben Dollapaj, më 6 gusht kaloi me sukses procesin e Vettingut.  Në seancën dëgjimore rezultoi se Dollapaj nuk kishte fshehje pasurie.

Edhe përsa i përket kriterit të pastërtisë së figurës dhe integritetit moral, Dollapaj është vlerësuar si i përshtatshëm për të ushtruar detyrën.

Arben Dollapaj është një nga prokurorët e njohur të sistemit të akuzës në Shqipëri pasi ka drejtuar Prokurorinë e Durrësit për disa vite me radhë.

Më pas u transferua në Tiranë ku mori pjesë në hetimin e tragjedisë së Gërdecit që në momentet e para duke kryer veprimet në fshatrat që u prekën nga shpërthimi e derisa dosja u dërgua në Gjykatën e Lartë./b.l/noa.al/