Transmetuar më 20-11-2018, 11:05

Kryeministri Edi Rama, nuk harron paketën anti-shpifje, duke e risjellë sërish në vëmendje.

Teksa sot është takuar në Vjenë, me përfaqësuesin e lirisë së medias, ai paralajmëron nisjen e konsultimit publik.

“Në selinë e OSBE në Vjenë me Harlem Desir përfaqësuesi për Lirinë e Medias, pas një diskutimi të dobishëm mbi Paketën Antishpifje dhe kuadrin e ri rregullator të portaleve – së shpejti çelim konsultimin publik dhe pastaj në Kuvend pas Vitit të Ri”, shkruan Rama.

Më herët Kryeministri ka bërë me dije se asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje dhe se do paditet në gjykatë.

Po ashtu ka thënë se çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit.

“Ky fond do të krijohet prej nesh për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore. Fondi i Edukimit, do të garantojë që paratë e ardhura nga gjyqet që do të bëjnë kryeministri, ministrat, deputetët, kryebashkiakët socialistë apo të tjerë veprimtarë të forcës sonë politike të gjendur përballë një shpifjeje, të shkojnë në destinacion, mbështetur në propozimin e fituesit të gjyqit”, ka paralajmëruar Kryeministri. /a.y/noa.al