Transmetuar më 20-11-2018, 10:30

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi iu është bashkuar banorëve protestues të Unazës së Re ditën e sotme, duke kundërshtuar prishjen e objekteve që preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Kryemadhi tha se projekti vjedh pronën e shqiptarëve, paratë e shqiptarëve dhe mbi të gjitha tregon që është jo vetëm i papërgjegjshëm, por edhe kriminal.

“Edi Rama ka dy standarde, standardin për klientët e vetë që i mbushin xhepat dhe i përdor për të pastruar paratë dhe standardin e fukarenjve që i nxjerr jashtë. Ky njeri duhet ta kuptojë se shqiptarët e toleruan me votën. Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu, Agruan Duka etj., e toleruan me votë dhe me fjalimet e tij”, u shpreh kryetarja e LSI.

Ajo iu bëri thirrje tre kompanive që sipas saj janë të lidhura me krimin, që të mos guxojnë t’iu afrohen banesave të qytetarëve.

Kryemadhi deklaroi se Edi Rama duhet ti dëmshpërblejë qytetarët një më një, pasi tha se kanë 27 vite që paguajnë taksa.

Banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe prej më se 15 ditësh dalin përditë në protestë në protestë, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje për ta, duke thënë se nuk do largohen nga banesat, pa u bërë kompensimi sipas vlerës së tregut.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.

Nga vlerësimi i bërë në terren janë 317 objekte që preken, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi. Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj tha se banorët që i kanë shtëpitë pa dokumente do marrin 3 vjet qira, ndërsa kush i ka godinat me letra do i marrë lekët e dëmshpërblimit kokërr më kokërr. /a.y/noa.al