Transmetuar më 20-11-2018, 08:58

Mbushen sot 5 vjet nga vdekja e ish-deputetit demokrat, Sokol Olldashi. Vëllai i tij Ardiani, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bën akuza të forta ndaj demokratëve siç thotë ai “në emër të tim vëllai”.

Ai akuzon demokratët se, “Nuk u “kujtuat” me vetëdije për Sokol Olldashin një muaj pasi ishte larguar në kongresin tuaj të rimëkëmbjes, kujtoheni pese vjet pa një ditë më pas në luginën tuaj të lotëve, ku prisni që mëshira e kohës, ndoshta kur do jeni zbardhur vetëm nga flokët t’ju falë edhe një herë pushtetin që nuk dini ta fitoni”.

Sokol Olldashi humbi jetën në 20 nëntor të vitit 2013, në një aksident rrugor.

Në emër të tim vëllai

“Democrazia e narcizizmit” e mbarsur me gjeste të bujshme, deklarata boshe, fraza të prera me masë për rrethanat dhe interesat në rrjetet sociale më bind edhe një herë që populli shqiptar është më i mirë se politikanet që ka. Sidomos e kam fjalën për atë pjesë të klasës politike që nuk arriti kurrë të ishte opozitë.

Në vend që të ndërmerrnin rrugë të reja, ndoshta të vështira dhe të rrezikshme preferuan të thaheshin, të atrofizoheshin së bashku me partinë e tyre. Koha është mësuesi më i mirë. Koha po tregon se ç’bën.

Si karroca pa kalë në tatëpjetën e dështimit kërkojnë të kapen kudo. Kapen tek

datat përkujtimore (të gabuara si çdo gjë që bënë në jetë) për të mos përfunduar në faqen qesharake të historisë si ata që shkatërruan, përdhunuan, keqpërdorën besimin dhe shpresën e manipuluar të demokratëve të vërtetë.

Nuk u “kujtuat” me vetëdije për Sokol Olldashin një muaj pasi ishte larguar në kongresin tuaj të rimëkëmbjes, kujtoheni pese vjet pa një ditë më pas në luginën tuaj të lotëve, ku prisni që mëshira e kohës, ndoshta kur do jeni zbardhur vetëm nga flokët t’ju falë edhe një herë pushtetin që nuk dini ta fitoni.

Ju dhe ipertrofia juaj e Unit jeni përgjegjës historike të kësaj katastrofe që demokratët e vërtetë nuk ju kishin borxh. /a.y/noa.al