Transmetuar më 19-11-2018, 17:56

Aksident me pasojë tre persona të vdekur është regjistruar ditën e sotme në rrugët e Greqisë, ku mes viktimave raportohet për një shqiptar.

Ngjarja ka ndodhur në Kiparisia të Greqisë, ndërsa viktimat janë tre 15-vjeçarë, një shqiptar, një grek dhe një bullgar.

Tre djemtë adoleshentë ishin shokë klase, të cilët pasi kishin lënë shkollën sot, kishin dalë xhiro me mjetin e babait të 15-vjeçarit bullgar, që drejtohej nga ky i fundit.

Ata u përplasën me një furgon në aksin kombëtar Pirgo-Methoni, pranë Terpsitheas, jashtë Kiparisias.

Si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme i riu grek dhe drejtuesi i mjetit, ndërsa 15 vjeçari shqiptar ndërroi jetë në ambjentet e spitalit të Rios, ku edhe ai edhe pse ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, nuk ka mundur t’i shpëtojë plagëve të marra.

Nga kjo përplasje ka mbetur i plagosur dhe drejtuesi i furgonit, një 48-vjeçar, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën./b.l/noa.al/