Transmetuar më 19-11-2018, 16:50

Drejtori i Hekurudhave në Durrës Ani Dyrmishi, ka reaguar sërish në një deklaratë për mediat për pakon e dyshimtë me lëndë artizanale që u gjet sot afër makinës së tij.

Ai thotë se nuk ka patur kurrë kërcënime dhe se mjetin e parkon në vende publike dhe lëviz i lirë në qytet gjatë gjithë kohës.

“Sot, si qytetar i Durrësit por edhe si person që mbaj funksion drejtues pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhës Shqiptare, çmoj të arsyeshme të sqaroj opinionin publik në lidhje me pasqyrimin në media të gjetjes së një lënde, të dyshuar si lëndë plasëse në lagjen nr.4 të qytetit të Durrësit, lagje ku unë banoj.

Unë nuk disponoj vend parkimi privat, si rrjedhojë në perditshmërinë time, e parkoj mjetin në vende parkimi publik. Kurrë nuk jam ndjerë i kërcënuar. Kam ecur dhe vazhdoj të ecë i lirë në qytetin tim gjatë gjithë kohës’, shprehet Dyrmishi.

Më tej ai sqaron se “Figura ime si qytetar por edhe si drejtues i lartë i HSH, kurrsesi nuk lidhen me ngjarjen e sotme. Unë nuk kam asnjë konflikt personal apo konflikt në lidhje me detyrën që unë mbaj, Administrator i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhës Shqiptare.

Gjatë ushtrimit të detyrës, kurdoherë jam mbështetur dhe do të vazhdoj të respektoj e zbatoj vetëm Ligjin sot dhe në të ardhmen. Padyshim, nxis dhe pres nga organet ligjzbatuese të hetojnë e sqarojnë rrethanat e ngjarjes dhe të vihen përpara drejtësisë personat përgjegjës”./b.l/noa.al/