Transmetuar më 19-11-2018, 12:22

Janë shpallur rezultatet e konkursit për gradën “Kryekomisar”, ku fitues rezultojnë vetëm 30 oficerë, nga 133 që ishin vendet e lira për këtë gradë.

Konkursi u zhvillua më datë 12 nëntor dhe kandidatët kanë ankesa për vonesën e shpalljes së rezultateve, pasi pikët që kishin grumbulluar u afishuan katër ditë pas testimit. Shumë prej tyre i janë drejtuar Sindikatës së Policisë, pasi pretendojnë se janë përdorur standarde të dyfishta në lidhje me këtë konkurs, madje kanë dyshime se ka pasur ndërhyrje dhe përzgjedhje me miqësi.

Kjo edhe për arsyen se testet nuk janë korrigjuar në Akademinë e Sigurisë, siç parashikohet në Rregulloren e Policisë, por në Drejtorinë e Përgjithshme. Vetëm 50 pyetjet e para që ishin me alternativa u korrigjuan me “Skantron”, ndërsa 50 pyetjet me shtjellim, sipas tyre kanë vlerësim të dyshimtë.

Pak minuta para nisjes së konkursit, ka ndryshuar formati i testit. Ishin po aq, 100 pyetje, por vetëm 50 ishin me alternativë, ndërsa 50 të tjerat me shtjellim.

Madje, ndryshonte edhe vlera e pyetjeve. Një përgjigje e saktë me alternativa, vlerësohej me 0.8 pikë. Pra, llogaritet që për 50 pyetje të sakta me alternativa, kandidati vlerësohej me 40 pikë, ndërsa për 50 të tjerat me shtjellim, me 60. Ndërkohë, me këtë lloj formati korrigjimi elektronik me aparaturën “Scantron” del jashtë funksioni.

Pasi kjo aparaturë njeh vetëm pyetjet me alternativa. Megjithatë, nëse kjo konsiderohet apo jo parregullsi, mbetet për t’u parë me ndonjë urdhër tjetër, shkruan ‘panorama’. Disa oficerë, që i janë nënshtruar këtij konkursi, në kushtet e anonimatit u shprehën se pas përfundimit të provimit, testet janë administruar për korrigjim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Në një kohë që në pikën 2 të nenit 173 të Rregullores së Policisë së Shtetit thuhet: Pas mbylljes së procesit të konkurrimit për fitimin e gradës, dokumentacioni administrohet në Akademinë e Sigurisë.