Transmetuar më 19-11-2018, 11:38

Forcimi i kontrolleve në portin e Durrësit, ka ndaluar gjashtë persona të cilët tentuan të kalonin Portin e Durrësit duke i’u shmangur kontrollit të dokumentacionit, ndërsa janë arrestuar dy drejtues kamionësh, të cilët kundrejt vlerës 1500 – 2500 euro për person kishin fshehur në kamionët e tyre dy persona për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin.

Gjithashtu është sekuestruar një sasi e konsiderueshme parash në Euro dhe Paund.

Gjatë kontrolleve në sheshin e eksporteve kanë gjetur të fshehur poshtë kamionit dy shtetas shqiptarë, me qëllim për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Italisë.

Ata janë Z.GJ., 39 vjeç, banues në Lezhë, i dënuar më parë në Belgjikë për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe shtetasi E.P., 31 vjeç, banues në Lezhë.

Pas verifikimit të bërë në sistemin TIMS, rezultoi se shtetasi Z.GJ., ishte i deportuar nga shteti belg më 18 shtator, pasi kishte vuajtur atje dënimin me 7 muaj burg, për veprën penale kultivim kanabisi.

Ndërsa E.P., ishte i deportuar nga shteti hollandez në datën 7 maj, pasi kishte tentuar të kalonte kufirin shtetëror hollandez në mënyrë të paligjshme për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar, duke u fshehur poshtë një kamioni.

Në përfundim të dy shtetasit janë ndëshkuar me masë administrative për shmangie të verifikimit kufitar me 20 mijë lekë të reja gjobë secili.

Po gjatë kontrolleve u kap shtetasi Z. C., 17 vjeç, lindur në Shijak, duke kaluar në mënyrë të paligjshme rrethimin e jashtëm me qëllim për të kaluar në tragetin e linjës Durrës-Ancona. Ky shtetas u procedua me gjobë 20 mijë lekë të reja për shmangie të verifikimit kufitar.

Njëkohësisht gjatë kontrollit në sheshin e eksporteve i fshehur poshtë një kamioni u kap shtetasi D. S., 22 vjeç, lindur në Dibër.

I riu qëndronte i fshehur poshtë kamionit midis gomave, me qëllim për të kaluar me traget drejt Italisë, i cili u procedua për shmangie të verifikimit kufitar me 20 mijë lekë të reja gjobë.

Gjithashtu gjatë kontrollit në vijën e dytë të kamionit me drejtues Erion Rucaj, 39 vjeç, banues në Tiranë, u gjet i fshehur në kabinën e kamionit, tek krevati i shoferit, shtetasi G. T.. 37 vjeç, lindur ne Kosovë.

Ai do të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme me linjën Durrës-Ancona për në Itali, duke paguar shoferin Erion Rucaj me 1 500 euro.

Drejtuesi i kamionit u arrestua në flagrancë ndërsa shtetasi G. T., u ndëshkua me masë administrative gjobë në masën 20 mijë lekë të reja.

Rreth orës 17:58 të kësaj të diele gjatë kontrollit të mjetit me drejtues Kastriot Gjinit, 40 vjeç, banues në Tiranë gjatë kontrollit brenda në kamion u gjet i fshehur shtetasi E. N., 23 vjeç, lindur në Dibër.

I riu do të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme duke u ndihmuar nga shoferi kamionit. Kamioni ishte i plumbosur dhe shoferi kishte prerë litarin dhe e kishte futur brenda nga mushamaja e trajlerit.

Nga kontrolli në sistemin TIMS 23-vjeçari, rezultoi se është kthyer deportiv nga Norvegjia me motivin kapur me qëndrim ilegal në tejkalim të afateve të qëndrimit dhe punësim ilegal. Dënim me afat 2-vjeçar dhënë në Norvegji, dhe për të kaluar në Itali do të paguante 2 500 euro shoferin Kastriot Gjini.

Sakaq drejtuesi i kamionit Kastriot Gjini u arrestua në flagrancë ndërsa E.N., u ndëshkua me masë administrative gjobë në masën 20 mijë lekë të reja. /a.y/noa.al