Transmetuar më 18-11-2018, 13:58

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ishte sot në qytetin e Sarandës, ku zhvilloi një takim me strukturat e partisë.

Kryemadhi tha se së bashku me Frontin Opozitar, kanë nisur tashmë përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 30 Qershor.

Në fjalën e saj Kryemadhi tha se "LSI është një forcë politike e cila mori vendimin e saj për të qenë në opozitë, për tu distancuar nga ajo keqqeverisje të cilën PS ose Rilindja po instalonte nëpërmjet funksionimit të kapjes së ekonomisë, të politikës dhe të gjitha institucioneve shtetërore, nga oligarkët dhe krimi i organizuar".

Sipas Kryemadhit çdo ditë që afrohet ne ikim më larg angazhimeve që merr Shqipëria drejt Bashkimit Europian dhe kjo sipas saj ndodh sepse "qeverisë së rilindjes, nuk i intereson  integrimi i vendit në BE sepse do të kushtëzonte jashtëzakonisht shumë veprimtarinë kriminale të qeverisjes së Rilindjes".

"Integrimi Europian do të kushtëzonte jashtëzakonisht shumë kontrollin mbi policinë dhe mbi ushtrinë të grupeve kriminale. Do të kontrollonte dhe do ta kufizonte akoma më shumë, qeverinë e Edi Ramës, ndaj vjedhjes së buxhetit të shtetit, ndaj koncesioneve me oligarkët, ndaj zhbërjes së sistemit arsimor, ndaj shkatërrimit të sistemit shëndetësor, pra për shëndetësinë falas, atë të famshmen që të gjithë e kemi dëgjuar. Por në fakt kur trokasim nëpër dyert e spitaleve, është një nga shërbimet më të shtrenjta që ka jo vetëm rajoni por dhe pjesa më e madhe e Europës. Pra është më shtrenjtë të kurohesh në spitalet shtetërore të Shqipërisë sesa të kurohesh në spitalet private të Italisë apo të Gjermanisë. Ajo çka dua të them dhe që është shumë e rëndësishme, ne duhet të fillojmë të kuptojmë dhe të bëjmë diferencën midis asaj çfarë ndodh sot dhe asaj çfarë aspirojnë shqiptarët. Shqiptarët aspirojnë integrim sa më të shpejtë në BE", tha Kryemadhi./a.k/noa.al/