Transmetuar më 18-11-2018, 12:20

Banorët e Unazës së Re në Tiranë kanë nisur protestën për 15 ditë resht, ndërsa po afrohet afati për shembjen e banesave të tyre.

Banorët kanë nisur marshimin sot drejt zonës së sheshit "Shqiponja", ndërsa kanë hedhur fishekzjarrë.

Ata kanë bllokuar sërish rrugën duke ndaluar qarkullimin e automjeteve, në kërkim të një përgjigje për të drejtat e tyre.

Teksa nesër është lajmëruar se do të vazhdohet me prishjet e banesave, qytetarët kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut.

“Nuk ka asnjë fije trasnparencë, as nga qeveria as bashkia, ne sikur jemi geto afrikane, jo qytetarë të Tiranës. Edhe avokatja e popullit e nxorri blof qeverinë në shumë pika,” tha një banor.

“Qeveria edhe mund të na terrorizojë, por ne me trupin e jetën tonë do i mbrojmë banesat,” u shpreh ai.

Ata kërkojnë dëmshpërblim dhe jo qira 3 vjeçare siç ka paralajmëruar qeveria. Me këtë protestë është bashkuar dhe opozita me anë të deputetëve, Flamur Noka e Klevis Balliu. Janë 317 banesa që do të shemben në kuadër të ndërtimit të segmentit të unazës së madhe./b.l/noa.al/