Transmetuar më 17-11-2018, 13:38

Pesë efektivë policie, punonjës në doganën e Qafë Thanës në Pogradec, janë vënë në pranga të përfshirë në një rast të kontrabandimit të mallrave të ndaluara, konkretisht goma të përdorura.

Efektivët e arrestuar janë Stefan Hila, 50 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë përgjegjës turni në Doganën e Qafë Thanës; Anesti Tushinka, 40 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë doganier parkingu pranë Doganës në Qafë Thanë; Ilir Spahiu, 44 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë doganier pranë Doganës në Qafë Thanë; Lefter Duraj, 64 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës turni i grupit të antikontrabandës, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Mikel Goxharaj, 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i grupit të antikontrabandës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Pesë efektivët e ndaluar akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre".

Krahas tyre u arrestuan edhe Kelti Ristani, 42 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë agjent doganor i një kompanie me seli në degën doganore Qafë Thanë; Edmond Kodra, 61 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Korçë, poseduesi i gomave; Stojmir Treneski, 42 vjeç, banues në Ohër, Maqedoni, shoferi i kamionit dhe Petraq Dimko, 54 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Korçë, poseduesi i ambientit ku magazinohej malli kontrabandë.

Arrestimi i tyre u bë pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë bërë të mundur futjen kontrabandë të një kamioni me rreth 2100 goma të përdoruara, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, të ngarkuara në mjetin tip kamion me drejtues shtetasin Stojmir Trenesk.

Por kamioni u dalua mbrëmjen e djeshme, e premte, nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Pogradec-Maliq, pranë fshatit Sovjan, teksa po tentonte të shkarkonte mallin e kontrabanduar, në magazinën e Petraq Dimkos.

Në vijim të veprimeve proceduriale, u bë sekuestrimi i kamionit që transportonte mallin kontrabandë së bashku me mallin rreth 2100 goma të përdorura.

Aktualisht vijojnë hetimet për të dokumentuar veprimtarinë e personave të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë linjë kontrabandimi. /a.y/noa.al